Dridhjet e sotme të tokës në Kosovë, eksperti tregon se a ka vend për shqetësim
Një lëkundje e tokës e intensitetit të ulët është regjistruar paraditen e sotme në afërsi të Saharekës dhe Prizrenit. Për lëkundjet që ndjen shumë qytetarë, raportoi edhe platforma e cila merret me plasimin e informacioneve rreth tërmeteve që ndodhin në kohë reale. Ndërsa se pati tërmet në Kosovë e konfirmoi për FaktePlus edhe drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa.
Pas tërmeteve të tmerrshme që ndodhën me 26 nëntor në Shqipëri, e ku humbën jetën mbi 50 persona, lëkundjet e vogla të tokës në Kosovë, po vazhdojnë të ndodhin mjaft shpesh.
Ditën e sotme një dridhje u regjistrua në afërsi të Suharekës dhe Prizrenit, ndërsa intensiteti i tij u raportuar të jetë 2.8 shkallë të Rihterit.
Këtë e konfirmoi edhe Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës.
Edhe pse pati dridhje, Mustafa thotë se nuk ka vend për shqetësim, sepse këto pasgoditje janë normale pas tërmeteve që ndodhën kohë më parë në Shqipëri.
“Kemi të dhëna, por nuk është një tërmet shqetësues. Është një tërmet 2.8 shkallë të Rihterit në veri të Prizrenit afër Korishës. Edhe në të ardhmen mundet me pas lëkundje të tilla të intensitetit shumë të ulët. Këto janë normale. Në momentin që e ka goditur tërmeti Shqipërinë edhe atëherë kam thënë që është komplet Ballkani në procese tektonike. Nuk ka nevojë për shqetësim, është komplet regjioni nën ndikimin e atyre goditjeve të forta që kap diku deri në 400 kilometra në rreze”, ka thënë ai.
Mustafa thotë se këto pasgoditje mund të zgjasin 6 muaj deri në një vit.
Kujtojmë që para pak ditësh tërmete u regjistruan edhe në veri të vendit, respektivisht në Zubin Potok, e ku magnituda ishte 3.8 shkallë të Rihterit./FaktePlus