Drejtuesit e “Infrakos” flasin për rihapjen e linjës hekurudhore Kosovë-Serbi (VIDEO)
Pas shumë kohe nga mbyllja, me iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së shpejti do të nisin edhe negociatat për rihapjen e linjës hekurudhore Kosovë-Serbi.
Kjo është konfirmuar nga i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Prishtinë-Beograd, Richar Grenell, i cili tha se të premten se marrëveshja për linjën hekurudhore është arritur në parim dhe se tani mbetet puna e dakordimit të detajeve, që do të bëhen prej të hënës.
E për këtë marrëveshje nuk kanë shumë dijeni zyrtarët nga hekurudhat e Kosovës.
Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i infrastrukturës së hekurudhave të Kosovës “Infrakos”, Agron Thaçi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se e mirëpresin çdo iniciativë për hapjen sa më të shpejtë të kësaj linje.
Por, ai ka theksuar se për çdo marrëveshje finale i takon Qeverisë së Kosovës të merr vendimin e saj.
“Hekurudhat e Kosovës nuk kanë ndonjë informacion të saktë dhe i takon Qeverisë së Kosovës që të merret me këtë çështje. Ne si hekurudha e mirëpresim çdo iniciativë për hapjen sa më të shpejt të kësaj linje dhe sigurisht që çështjet e hekurudhave janë çështje ë specifike se sa çështje tjera. Ne e kemi pas platformën tonë dhe i kemi dërguar te Qeveria e Kosovës dhe këtë platformë e kanë edhe hekurudhat e Serbisë dhe ne e kemi të qartë se si duhet të ecet deri te ndonjë marrëveshje finale dhe i takon qeverisë së Kosovës që të vendos”, tha Thaçi për FaktePlus.
E Thaçi thotë se në platformën të cilën e kanë krijuar për këtë linjë hekurudhore është bërë e qartë se hekurudhat e dy shteteve duhet të funksionojnë sipas parimit e rregullit ndërkufitar nga Bashkimi Evropian.
“Është bërë e qartë se Hekurudhat e Kosovës, në këtë rast hekurudhat e dy shteteve duhet të funksionojnë sipas parimit e rregullimit ndërkufitar nga Bashkimi Evropian. Siç e kemi rregulluar me Maqedoninë do ta rregullojmë e Serbinë dhe me shtetet tjera. Bashkimi Evropian i ka të qarta, të specifikuara rregullat se si rregullohet trafiku hekurudhor ndërmjet dy shteteve”, tregoi Thaçi për FaktePlus.
Kurse dy ditë më parë (e mërkure) kryeministri në largim, Ramush Haradinaj kishte deklaruar para gazetarëve se hapja e hekurudhave merr shumë kohë.
“Sa i përket hekurudhave mund të merr më shumë kohë. Ne jemi në renovim të hekurudhave brenda Kosovës. Kemi një projekt të renovimit me BE-në, na është dhënë një hua e butë dhe ka donacione, grande por ka edhe para të Kosovës…projekt i rëndësishëm është dhe një hekurudhë për Durrës dhe mendojmë me avancu në këtë drejtim”, pati deklaruar Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Kujtojmë se Kosova qysh në vitin 2019 ka filluar punën për Rehabilitimin Gjeneral dhe Modernizimin e Linjës së 10 Hekurudhore që kalon nëpër kufirin me Maqedoninë e Veriut – Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak deri tek kufiri me Serbinë).
Projekti është llogaritur të kushtojë rreth 208 milionë euro, ndërsa përfundimi i tij pritet të bëhet në vitin 2023/2024.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas./FaktePlus