Drejtoi FSK-në në vitin 2013- gjeneral Kastrati flet për “Marrëveshjen e fshehtë të Thaçit”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti tek KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Kështu, FSK-së iu ndalua që të vepronte në pjesën veriore të Kosovës.
E, për këtë marrëveshje për FaktePlus, ka folur edhe me ish- komandantin e FSK-së, që në në atë kohë ishte gjenerallejtënant, Kadri Kastrati.
Në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, gjeneral Kadri Kastrati, ka thënë se ai edhe pse ka qenë komandant nuk e ka parë marrëveshjen se çka saktësisht përmban, duke shtuar se sa herë iu është kërkuar kanë shkuar në veri, por gjithmonë në bashkëpunim me KFOR-in.
“Unë nuk e kam pa marrëveshjen që është nënshkruar, por unë mendoj që në atë kohë marrëveshja nuk ka qenë që FSK-ja mos me shku në veri sepse ka shku disa herë më intervenu në operacione humanitare kur janë mbyt dy serbë në Liqenin e Ujmanit dhe një rast tjetër, por marrëveshja paraprakisht ka qenë me njoftu KFOR-in dhe me qenë në bashkëpunim me ta. Kurse, tash situata ka ndryshuar dhe tash FSK-ja nuk është organizatë civile por është organizatë ushtarake dhe Kosova është shtet i pavarur dhe unë nuk shoh këtu diçka keq”, ka thënë ai.
I pyetur se a ka kërkuar nga ish- kryeministri Thaçi që ta sheh këtë marrëveshje, Kastrati thotë se nuk ka pasur nevojë ta sheh marrëveshjen.
“Kjo marrëveshje është marrëveshje politike komandanti i ushtrisë nuk ka nevojë që të sheh një marrëveshje të tillë, edhe unë atëherë s’kam pas nevojë që ta shoh. Unë i kam zbatuar të gjitha detyrat dhe urdhëresat që i kam pas nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës’, ka pohuar ai.
Ish- komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka thënë se tash më ajo marrëveshje nuk vlen.
“Unë mendoj që ajo marrëveshje nuk vlen për arsye se FSK-ja apo Ushtria e Kosovës e ka të drejtën me intervenu kur është kërkuar nga institucionet e Kosovës sepse misioni i Forcës Ushtarake të Kosovës është që të mbështet autoritetet qendrore dhe lokale, qoftë ato të Mitrovicës Veriore apo Jugore e qoftë Qeverisë së Kosovës. Dhe, nëse kërkohet një gjë e tillë prej institucioneve shtetërore Ushtria e Kosovës shkon aty ku ka nevojë”, ka deklaruar Kastrati.
Ai thekson se sikur edhe në atë kohë po t’iu kishte kërkuar që të shkojnë në veri do ta kishin bërë një gjë të tillë pa e pyetur askënd.
“Nëse në atë kohë kryeministri dhe presidenti kishte kërkuar që FSK-ja të shkon në veri është e sigurt që ne se kishim pyet askënd dhe kishim shku në veri për arsye se ne zbatojmë detyrat dhe urdhrat e institucioneve shtetërore”, ka thënë ai.
Ndërsa, i pyetur se si kanë mundur të shkojë kur në marrëveshje thuhet se aty ka mundur të shkojë vetëm KFOR-i, Kastrati ka deklaruar se askush nuk do të urdhëronte të behej diçka pa marrëveshje me faktorin ndërkombëtar.
“Marrëveshja ka qenë ashtu por, ajo është marrëveshje politike dhe aty sigurisht as kryeministri e as komandanti suprem nuk do të kishin urdhëru diçka të tillë pa marrëveshje me faktorin ndërkombëtar ushtarak që është në Kosovë”, ka thënë ai./FaktePlus