Dr. Sadiku: Mësohuni të jetoni me virusin edhe për gjashtë muaj
Mjeku infeksionist, Izet Sadiku duke bërë thirrje që të respektohen masat parandaluese të COVID-19, deri sa të zbulohet një vaksinë kundër virusit, u shpreh se duhet të mësohemi të jetojmë me të së paku edhe për gjashtë muaj
Ky arsyetim i tij vjen edhe pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk premton që kjo situatë do të kalojë shpejtë, pa u zbuluar vaksina.
Situata në Klinikën Infektive është e rënduar, tha mjeku, pasi për 5 ditë janë shënuar mbi 1000 raste të reja me COVID-19 në Kosovë.
Sipas Sadikut, kapacitetet tani më janë të mbushura, në spitalet e Kosovës dhe në QKUK janë mbi 300 pacientë të shtruar, mbi 170 pacientë janë me oksigjenoterapi.
Infeksionisti theksoi në një intervistë për emisionin “Për ditë të mbarë” në RTV21 se edhe numri i madh i të infektuarve të punëtorëve shëndetësor po e rëndon situatën. Ai tha se rreth 420 punëtorë shëndetësor janë të infektuar me Covid-19.
Deri më 12 korrik numri total i rasteve pozitive është 4.931, me gjithsej 102 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese dhe 2.267 të shëruar.