Dortmundi ia shkakton humbjen e parë Liverpoolit në turneun parasezonal
Përgatitjet parasezonale të Liverpoolit morën goditjen e parë në ndeshjen e tretë të turneut parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që skuadra e Jurgen Kloppit pësoi disfatë me rezultat 3:2 kundër Dortmundit.
Në kushte të vështira në stadiumin “Notre Dame” në Indiana, kampioni evropian u përball me nënkampion gjerman në atë që trajneri Jurgen Klopp e përshkroi si “testin e parë të vërtetë” në turneun parasezonal.
Në mungesë të Roberto Firminos, Alissonit, Mohamed Salahut dhe Sadio Manes – për shkak të Kupës së Amerikës dhe Kupës së Kombeve të Afrikës – Liverpooli pësoi golin e parë qysh pas tre minutave lojë, përmes një goditjeje të Paco Alcacer.
Harry Wilson e barazoi rezultatin e ndeshjes për Liverpoolin pas 35 minuta lojë, mirëpo Dortmundi i shënoi dy gola të shpejtë sapo filloi pjesa e dytë e ndeshjes (Thomas Delaney 53’, Jacob Bruun Larsen 58’).
Rhian Brewster shënoi nga pika e penalltisë në minutën e 75-të të ndeshjes, pasi Ben Woodburn u rrëzua nga zonës së 16-metërshit. Mirëpo, skuadra e Jurgen Kloppit s’arriti dot ta gjejë golin e barazimit në minutat e fundit të ndeshjes, që po zhvillohej para 40,631 tifozëve.
Kloppi i emëroi shumë lojtarë të rinj në formacionin e parë, mirëpo pastaj ia dha mundësinë të hynë në lojë, pas 60 minutave, Trent Alexander-Arnoldit, Jordan Hendersonit, Andy Robertsonit, Virgil van Dijkut dhe Georginio Wijnaldumit. /FaktePlus