Dorëzohet peticioni me mbi 10 mijë nënshkrime për heqjen e homologimit
Sot në Kuvendin e Kosovës do të dorëzohet peticioni i nënshkruar nga qytetarët që kërkon heqjen e homologimit të veturave.
Ky peticion është nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë, ndërkaq përfaqësuesit e peticionit kanë bërë të ditur se do ta dorëzojnë atë në Kuvend sot në orën 10:00.
Qytetarët përmes këtij peticioni kërkojnë që Ligji për automjetet të ndryshohet dhe obligimi për homologim të hiqet tërësisht.
Vazhdimi i monopolit për homologim ka ngjallur debate të shumta në vend. Po ashtu Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjetur se disa nene të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës binin ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Kompania e vetme në Kosovë e cila e bën homologimin e veturave është “EuroLab”, kompani kjo në pronësi të Devollëve.
Kompania e Shkëlqim Devollit asnjëherë nuk ka pasur konkurrent në Kosovë në tregun e homologimit të veturave, dhe qeveria asnjëherë nuk ia ka ndalur fitimin enorm kësaj kompanie.