Dorëzohen qytetarët, nuk presin më heqjen e vizave (VIDEO)
Festime në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, por edhe ministri tjera në Qeverinë e Kosovës u patën bërë më 4 maj të vitit 2016, kur Komisioni Evropian kishte dhënë dritën jeshile për heqjen e vizave për Kosovën.
Por, përfundimi i një procesi të tillë nuk ndodhi atë vit, ndërsa premtimet për liberalizimin e vizave janë dhënë gjatë çdo viti.
Qysh para se të fillonte dialogu me Komisionin Evropian në janar të vitit 2012 e para se të pranohej Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në qershor të po atij viti, liderët vendorë kishin dhënë premtime se kosovarët së shpejti do të lëviznin lirshëm.
Por, vizat nuk u hoqën edhe pas konfirmimit të Komisionit Evropian, i cili korrikun e vitit 2018 tha se Kosova i ka plotësuar edhe dy kushtet e fundit për liberalizim: Demarkacionin dhe arritjet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
E premtim se vizat do të hiqen është bërë edhe para tri ditësh kur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se liberalizimi do të ndodhë para fundit të këtij viti.
Mirëpo, qytetarët tashmë janë dorëzuar. Ata duken të pashpresë se çështja e liberalizimit do të kryhet gjatë këtij viti. Sipas tyre, ka ende shumë punë për t’u bërë deri të arrihet lëvizja e lirë dhe pa viza.
Qytetarët janë skeptikë se edhe një qeveri e drejtuar nga Albin Kurti do të mundet të zgjidhë këtë çështje për një kohë të shkurtër.
Kujtojmë që herën e fundit Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Tani duhet pritur nëse Kosova do të jetë në agjendë gjatë takimit të radhës./FaktePlus