Dorëheqja e Haradinajt dhe ‘paraliza’ në AAK, a do të ketë kryeministri në largim kundërkandidat për të parin e AAK-së
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të AAK-së në Kuvendin e Punës që së fundmi e mbajti partia e tij. Ai tha se deri në zgjedhjet e brendshme do të jetë vetëm ushtrues detyre dhe se në bazë të ndryshimeve të fundit në statutin e partisë, mund të ketë shumë konkurrentë për pozitën e kryetarit të AAK-së. Ky vendim i tij nga disa u pa edhe si mundësi që kryeministri në largim të kandidojë për president, në një marrëveshje të mundshme që do ta çonte partinë e tij në pozitë, megjithatë asgjë nuk u tha zyrtarisht. Ndërsa deputeti Shkumbin Demaliaj tha për FaktePlus se për momentin jo vetëm kryetari, por edhe anëtarët e Këshillit Drejtues e të Kryesisë, janë në ushtrim detyre.
Jo vetëm kryetari Ramush Haradinaj, por edhe anëtarët e Kryesisë e të Këshillit Drejtues të AAK-së janë për momentin të liruar nga detyra. Ata vetëm janë ushtrues detyre deri në përfundimin e zgjedhjeve të brendshme në aleancë. Këtë e ka bërë të ditur për FaktePlus deputeti i kësaj partie, Shkumbin Demaliaj.
“Në Kuvendin e Punës që e ka mbajtë Aleanca, e gjithë Kryesia, Kryetari dhe Këshilli Drejtues janë të lirum. Ne i kemi ba ndryshimet në statutore dhe të gjithë janë për momentin në detyrë, d.m.th të dorëhequr prej të gjitha funksioneve e jo vetëm kryetari, por prej nëndegëve e deri në Kryesinë Qendrore janë veç në detyrë duke i ushtru funksionet deri në Kuvendin Zgjedhor apo ditën kur do të mbahen zgjedhjet e brendshme në parti”, ka deklaruar Demaliaj.
Demaliaj nuk ka treguar nëse Haradinaj do të rikandidojë apo nëse do të ketë ndonjë kundërkandidat, porse ka thënë se me ndryshimet e fundit në statut, mund të garojë për të parin e AAK-së secili prej anëtarëve.
“Tash më 1 shkurt do të fillojmë zgjedhjet në bazë, nëpër degë dhe Brenda 45 ditësh ato pritet të përfundojnë e psataj të vazhdojmë me Kuvendin Zgjedhor kur zgjidhen organet. Kandidat mund të jetë kushdo që dëshiron për shkak që e kemi ndërru krejt procesin zgjedhor edhe formën e votimit me statutin e ri”, ka shtuar ai për FaktePlus.
Kujtojmë që në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Punës të mbajtur më 29 dhjetor të vitit të kaluar, mbi 600 delegatë të AAK-së miratuan ndryshimet në statutin e partisë ku u vendosën kriteret e reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë, si dhe aplikimin e parimit një delegat-një votë.
Ndërsa në Kuvendin e Punës që AAK-ja e mbajti më 30 qershor të vitit të kaluar, shumica prej 602 delegatëve prezent miratuan me shumicë votash ndryshimet në statutin e partisë, krijimin e Departamentit të Gruas, të Akademisë Politike, Kodit të Etikës dhe platformën e zhvillimit ekonomik.
AAK-ja në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 6 tetor të vitit të kaluar garoi në koalicion me PSD-në duke fituar 96 mijë e 782 vota apo 11.5 %.
Ajo në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet me 13 deputetë.
Ndryshe, kryeministri në largim dhe ushtrues detyre i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur së fundmi tha se nuk kanë marrë ofertë nga LDK-ja apo VV-ja për t’u bërë pjesë e Qeverisë./FaktePlus