Donald Trump do të largohet nga spitali sot
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të dalë nga spitali përgjatë ditës së sotme.
I pari i SHBA-ve lajmin e bëri të ditur përmes një cicërime në llogarinë e tij zyrtare në ‘Twitter’.
“Do të largohem nga Qendra Mjekësore Walter Reed sot në orën 6:30 pasdite. Ndihem me të vërtetë mirë”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij.
Tutje, ai ka bërë thirrje që “të mos frikësoheni nga Covid-19”.
“Po ndihem më mirë sesa ndihesha para 20 vjetësh”, ka deklaruar kandidati presidencial aktual nga radhët e Republikanëve.
Donald Trump raportohet se kishte marrë steroid për përmirësimin e nivelit të oksigjenit në gjak, për të cilën mjekët që po kujdeseshin për të thanë se ishte nën nivel.