Dokument: “Super inspektoret”-në të njëjtën kohë inspektojnë në dy vende të ndryshme
Inspektimi në dy klinika në kryeqytet po shihet më shumë dyshime, kjo për faktin se në poliklinikën “Elita +“ dhe në “Pro Lab”, inspektoret e njëjta kanë inspektuar në të njëjtën kohë të dyja klinikat. Në realitet kjo është e pamundur të ndodh.
Diçka që është e pa mundur të ndodh në jetën reale, i ka ndodhur doktoreshave (inspektoreve) Nora Kursani dhe Advije Mala. Këto dyja, si askush më parë kanë arritur që në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë të jenë të pranishme në dy vende të ndryshme.
Kështu të paktën thuhet në raportet që dy doktoreshat i kanë plotësuar vet, kur kanë kryer inspektime në poliklinikën “Elita +“ dhe në “Pro Lab”.
Në dy raportet që ka siguruar FaktePlus shihet se inspektimi në poliklinikën “Elita +“ është bërë më datën 08.04.2022 në orën 13:00.
Ky inspektim është bërë nga dr.Nora Kursani dhe dr.Advije Mala.
Por, edhe në raportin tjetër po ashtu të datës 08.04.2022 tregohet se inspektimi në “Pro Lab” është bërë në orën 12:30. Edhe ky inspektim është bërë nga dr.Nora Kursani dhe dr.Advije Mala.
Në të dyja raportet tregohet në detaje puna që është bërë në poliklinikën “Elita +“ dhe në “Pro Lab”.
FaktePlus ka kërkuar një sqarim nga Inspektorati Shëndetësor në lidhje me këtë rast, por deri më tash nuk kanë sqaruar asgjë.
Pyetje që ia janë dërguar inspektoratit janë:
A mund të na jepni një sqarim, se si mund të inspektohen dy institucione në të njëjtën kohë nga të njëjtit persona?
Sa mund të jenë reale këto inspektime, kur shihet qartë që nga 12:30 deri në ora 13:00 janë bërë dy inspektime?
Cili është sqarimi juaj për orën që është cekur në këto dokumente dhe datën që figuron në to?
Por, në këto pyetje nuk është përgjigjur askush. /FaktePlus/.