DOKUMENT| Kadri Rahimaj vazhdon të abuzojë me pushtetin në Kamenicë, IT e punëson militantin e Vetëvendosjes me shkollë të mesme
Kadri Rahimaj e ka nisur punësimin e militantëve të Vetëvendosjes në Komunën e Kamenicës.
Në konkursin për pozitën “Zyrtar i Teknologjisë Informative” në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, komuna e Kadri Rahimaj ka përzgjedhur ish-kandidatin për asamble të LVV-së, Artan Rekën.
Vendimi është marrë dje, më 18 maj 2022, raporton Demokracia.com.
Komuna e Kamenicës nuk e ka pranuar në këtë pozitë një kandidate tjetër, sepse ajo ka qenë super e kualifikuar.
Ata madje edhe në konkursin e shpallur kanë kërkuar që kandidati për këtë pozitë të jetë vetëm me shkollë të mesme.
Kjo ka ngjallur dyshime se konkursi ishte përshtatur specifikisht për një aktivist të vjetër të Vetëvendosjes.
Në rrjetet sociale gjenden shumë fotografi të Rahimajt me kandidatin e përzgjedhur.
Në një fotografi tjetër shihet kandidati i punësuar në fotografi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe shefin e kabinetit të tij, Ilir Kërçelin.
Por, për t’u rehatuar militanti i Vetëvendosjes, pa punë ka mbetur Arbitë Thaçi, e cila ka përfunduar studimet për Shkenca Kompjuterike dhe është në përfundim të studimeve master.
Ajo në një prononcim për Demokracia.com ka treguar se përveç shkollimit, ka edhe përvojë pune dhe shumë trajnime në fushën e teknologjisë.
“I kam të përfunduara shkencat kompjuterike. Tash jam në përfundim të studimeve master për mësimdhënie të teknologjisë. Kur është hapur konkursi ka qenë kriter shkolla e mesme dhe përvoja e punës ka qenë e dëshirueshme jo-obligative, gjë që për pozita të IT zakonisht askund nuk ndodhë. Edhe duhet me pas ndonjë trajtim të kryer. Prej aty supozova se veç e kanë dikë që ia kanë përshtatur kriteret”, tha Thaçi për Demokracia.com.
Sipas saj, në këtë konkurs nuk ka pasur fare testim me shkrim, por vetëm intervistë me gojë, që është zhvilluar nga tre juristë.
“Në komisionin vlerësues kanë qenë tre njerëz që janë juristë me profesion. Test me shkrim nuk ka pasur fare. Ka qenë vetëm intervistë me gojë, gjë që për mendimin tim ka qenë më lehtë të manipulohet me rezultat”, u shpreh ajo për Demokracia.com.
Thaçi ka treguar se në një moment gjatë intervistës, njëri nga anëtarët jurist ka thënë se pyetjet i kanë marrë nga interneti.
“Tetë ditë ka kohë afat për ankesë. Veç desha me shqyrtu sa vlen ankesa jem, tu e pa që sipas kritereve unë jam shumë e kualifikuar. Ne ishim pesë veta. Të kish qenë korrekt konkursi, me çfarëdo IT tjetër mu konsultu, nevojitet përvojë pune. Përveç fakultetit, unë iu kam treguar se i kam mbi dhjetë trajnime. Supozoj se ka qenë e montume, se fiks iu përshtatën kriteret atij djalit. Ai fakultet nuk kish. Pyetjet kanë qenë të fushës tonë. Pyetje bazike, por gjatë intervistës njëri prej juristëve më tha se kështu i kemi parë pyetjet në internet”, ka treguar Thaçi.
Në lidhje me punësimin e Artan Rekës, Demokracia.com ka biseduar edhe me Kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili ka thënë se konkursi për këtë pozitë është hapur pasi zyrtari i mëhershëm i IT-së ka marrë pushim pa pagesë për një vit.
“Nuk është largu kërkush prej punës me përfaqësu Artan Reka. Zyrtari për IT që ka qenë në Komunën e Kamenicës ka marrë pushim pa pagesë për 1 vjet, për arsye shëndetësore. Edhe ne jemi detyru me shpall konkurs në mënyrë që me funksionu sistemi i internetit brenda komunës”, ka deklaruar Rahimaj për Demokracia.com.
I pyetur se a lejohet që për këtë pozitë të punësohet një person me shkollë të mesme, meqë Artan Reka është me shkollë të mesme, Rahimaj ka thënë se këtë e rregullon ligji.
“Po, këtu e ka përcaktu edhe ligji po besoj, ligji për shërbyesit civil”, është përgjigjur Rahimaj.
Javë më parë, Kadri Rahimaj i kishte dhënë tender për hartimin e një strategjie për shëndetësi edhe Sami Ukës, vëllait të deputetit të LVV-së, Fitim Ukës.