DOKUMENT| “Gjakderdhje” financiare në Komunën e Kamenicës, vëllai i deputetit të LVV-së merr kontratë mijëra euro
Më 31 mars të këtij viti, Komuna e Kamenicës që drejtohet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje ka nënshkruar kontratë me Sami Ukën, të cilit i ka dhënë tender për Shërbime të Konsulencës, më konkretisht si konsulent për hartimin e strategjisë në shëndetësi. Ky i fundit nuk është hera e parë që i “vjelë” të mirat e pushtetit, pasi që më herët kishte shërbyer edhe si këshilltar politik i ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sami Uka, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, do të paguhet 6 mijë e 200 euro për një vit, pas një kontrate që ia ka dhënë atij Komuna e Kamenicës.
Demokracia.com ka siguruar kontratën që është nënshkruar më 31 mars të këtij viti, ku Sami Uka, vëllai i deputetit të LVV-së, është angazhuar si konsulent për hartimin e strategjisë në shëndetësi.
Njoftimi për këtë kontratë ishte bërë më 7 mars 2022 dhe më 30 mars e njëjta iu dha Sami Ukës, e cila u nënshkrua vetëm një ditë më vonë.
Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com, vlera e kësaj kontrate është 6 mijë e 200 euro për një vit.
Në këtë kontratë tregohet edhe puna që do ta kryejë Sami Uka, si konsulent në shëndetësi.
“Grumbullimi dhe analiza e indikatorëve të rëndësishëm të statusit shëndetësor dhe rrjetit të ISH-së së komunës nga mandati i kaluar. Krijimi i një baze të të dhënave për ndërtimin e strategjisë. Zhvillimi i strategjisë për 4 vitet e ardhshme në shëndetësi. Diskutimi i draftit të strategjisë dhe finalizimi. Finalizimi i strategjisë duke diskutuar çështje të rëndësishme me Këshilltarët e Kuvendit Komunal në Kamenicë. Monitorimi dhe mbështetja e zbatimit të strategjisë përfshirë ndryshimet e nevojshme gjatë procesit. Konsulenti e ka për obligim që për një periudhë 12 mujore të bëjë mbikëqyrjen dhe monitorimin e strategjisë”, thuhet në përshkrimin e lëndës së kontratës, raporton Demokracia.com.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com e ka telefonuar Sami Ukën për ta pyetur nëse afërsia me Lëvizjen Vetëvendosje ka ndikuar në marrjen e kësaj kontrate, megjithatë ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Nuk e di a i kam treguar ende për këtë gjë. Absolutisht, asgjë nuk ka ndikuar vëllai im për fitimin e tenderit”, ka thënë Sami Uka për Demokracia.com.
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, është kontaktuar disa herë nga Demokracia.com për ta pyetur rreth kësaj kontrate, por ai nuk është përgjigjur.
Sa ishte Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, e kishte emëruar Sami Ukën si këshilltar politik të tij. /Demokracia.com/