Dogana: Nuk ka kontrabandë nga Serbia, importi ka rënë në 99.5 për qind
Që nga hyrja në fuqi tre muaj më parë e taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia, janë importuar vetëm 700.000 mijë euro mallra nga ky vend, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kjo është një shumë e papërfillshme.
Si rezultat i vënies së taksës importi nga Serbia ka rënë me 99.5 për qind krahasuar me periudhat paraprake, ka thënë zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Sipas tij, kjo ka bërë që të kemi rritje te importeve nga Shqipëria me 40 për qind, si dhe nga Maqedonia me mbi 10 për qind.
“Sa i përket kësaj çështje importi nga Serbia ka rënë me 99.5 për qind krahasuar me periudhat paraprake, derisa që nga ndalesa e deri tani kemi rreth 700.000 mijë euro importe dhe po aq kanë paguar edhe taksa pasi është 100 për qind”, ka thënë Stavileci.
Zëdhënësi i doganës tregoi se importi i mallrave është rritur nga shtetet tjera fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia.
“Kemi rritje të importeve nga Shqipëria me 40 për qind, si dhe nga Maqedonia me mbi 10 për qind”, ka deklaruar Stavileci për FaktePlus.
Ndërkaq për 80 ditë, Serbia ka inkasuar 90 milionë euro më pak nga Kosova.
Nuk kalojnë tri javë që ministri i Tregtisë, i Turizmit dhe i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Lajiq të përsërit nga një ankesë për humbjet që i ka shkaktuar taksa 100 për qind ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë.
Ai ka bërë të ditur se prej kohën që taksa është në fuqi, gjatë tre muajve të fundit në Kosovë janë plasuar 90 milionë euro më pak mallra se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Ne më 21 shkurt të këtij viti do ta kemi bilancin e saktë të gjendjes se sa më pak mallra janë eksportuar për Kosovë. Deri më tash, për 80 ditë, janë eksportuar 90 milionë euro më pak mallra në Kosovë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Tregtia ka rënë në minimum ose po punon kontrabanda, sepse në Kosovë ka mallra serbe”, ka thënë ditë më parë Lajiq./A.B-FaktePlus