DnV: Subjektet politike të respektojnë Kodin e Mirësjelljes
Në prag të fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore për Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), ka mobilizuar 72 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë aktivitetet e subjekteve politike, përfshirë shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore 10 ditëshe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes vëzhgimit të paanshëm dhe objektiv, DnV synon të të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit dhe gjithpërfshirjes në procesin zgjedhor.
Vëzhguesit e DnV-së do të fokusohen në vlerësimin e respektimit të Kodit të Mirësjelljes nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre në garë, i cili mundëson krijimin e kushteve për një fushatë të barabartë, fer dhe demokratike. Për më tepër, DnV do të monitorojë mediat dhe hapësirën që ato u japin subjekteve politike, kandidatëve për kryeministër dhe atyre për deputet në fushatë.
DnV u bën thirrje subjekteve politike dhe kandidatëve që garojnë në zgjedhje të zhvillojnë fushatë të përgjegjshme dhe demokratike, duke evituar shkeljet e Kodit dhe dispozitave tjera ligjore për zgjedhjet. Subjektet politike duhet të përmbahen nga gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në përballjet e tyre që nga shpërbërja e Kuvendit, sepse ajo mund të nxisë urrejteje, dhunë dhe tensionim të ambientit politik. Dnv kërkon nga subjektet politike të mos shfrytëzojnë resurset dhe asetet publike për qëllime të fushatës zgjedhore, të mos angazhojnë shërbyesit publik në fushatë dhe të mos organizojnë pjesëmarrje të fëmijëve në tubime elektorale. Ato poashtu duhet të shmangin vendosjen e materialeve propaganduese në hapësirat publike, ku është e ndaluar me ligj.
Për më tepër, DnV fton subjektet politike që të ofrojnë mundësi të barabarta për gratë dhe personat me aftësi të kufizuara në aktivitetet e tyre parazgjedhore, qoftë si kandidatë apo pjesëmarrës.
Përgjatë katër cikleve të fundit zgjedhore, numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme është evidentuar si një nga sfidat kryesore të procesit zgjedhor, ndërsa institucionet dhe subjektet politike nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për t’a ndryshuar këtë gjendje. Informimi me kohë i votuesve për të votuar në mënyrë të duhur është parakusht për të minimizuar numrin e votave të pavlefshme. Andaj, në mënyrë që të ketë sa më pak vota të humbura, DnV fton KQZ-në dhe subjektet politike të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të votuesve duke synuar ngritjen e vetëdijes dhe ofrimin e informacioneve të sakta se si të votohet në ditën e zgjedhjeve.
Në prag të zyrtarizimit të fillimit të fushatës zgjedhore, DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të përfshihen në aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike, për të pasur mundësi të informohen për platformat e tyre.
Për fund, DnV fton të gjitha institucionet e përfshira në organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve të garantojnë një proces zgjedhor të drejtë në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shfaqin vullnetin e tyre lirshëm dhe pa frikë. Po ashtu fton institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë parazgjedhore.
DnV është e përkushtuar të kontribuojë në rritjen e integritetit të procesit procesit zgjedhor përmes vëzhgimit dhe raportimit të rregullt, të paanshëm dhe objektiv të publikut./FaktePlus/