Ditët e fushatës zgjedhore rritën edhe numrin e veteranëve të UÇK-së
Rritja e vazhdueshme e numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale, sidomos e numrit të veteranëve të luftës së ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e rëndon buxhetin e shtetit. E numri i veteranëve po rritet dita ditës. Fushata zgjedhore që u zhvillua gjatë muajit shtator dhe në ditët e para të tetorit, ka bërë që numri i tyre të rritet për dhjetëra persona.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) përkundër një vendimi të mëhershëm të Prokurorisë nuk e ka larguar ende asnjë person nga lista e përfitimit të pensionit si veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë bërë të ditur për FaktePlus se aktualisht nga buxheti i Republikës së Kosovës, paguhen gjithsej 38 mijë e 120 persona, të cilët kanë statusin e veteranit.
Mirëpo krahasuar me muajt e kaluar, ky numër është rritur me dhjetëra sosh.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar publikimin e mëparshëm të MPMS, ku tregohej për numrin e veteranëve që janë në listën e pagesave.
Në muajin korrik pensione kanë përfituar 38 mijë e 74 persona si veteranë të UÇK-së. Shuma që është shpenzuar për ta është 6 milionë e 388 mijë e 344 euro.
Por, numri i veteranëve në muajin gusht është rritur edhe për 29 persona. Në këtë muaj u paguan 38 mijë e 103 veteranë, e që buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 390 mijë e 770 euro.
Nga këto të dhëna shihet se vetëm nga korriku deri në shtator, pra për tre muaj, numri i veteranëve të UÇK-së është rritur për 46 persona dhe në shtator janë paguar nga shteti 38 mijë e 120 persona.
Kjo rritje e veteranëve ndodhi gjatë kohës kur partitë politike nisën garën e tyre për zgjedhjet parlamentare. Kujtojmë se edhe pse jo zyrtarisht, partitë politike në vend, qysh në fillim të muajin shtator filluan fushatën e tyre zgjedhore, e që më 25 shtator zyrtarisht politika kaloi në fushatë zgjedhore.
E në këtë muaj u rrit përsëri numri i veteranëve, ndonëse në opinion pati akuza se kjo po bëhet për shkak të votave.
Në shtator MPMS ka treguar se i ka paguar 38 mijë e 120 veteranë, të cilët i kushtuan shtetit jo më pak se 6 milionë e 398 mijë e 716 euro.
Prokuroria në aktakuzën e parë për rastin e njohur si “Veteranët” kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që dyshohet se marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës.
Mirëpo, në përmirësimin që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Prokuroria, kjo e fundit në aktakuzën e re, mes tjerash i ka hequr nga lista 738 persona që dyshohet se kanë përfituar rrejshëm në emër të veteranëve.
Por, edhe pse Prokuroria Speciale kishte hequr nga lista 738 persona, ajo ende nuk ka dorëzuar emrat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për t’i larguar nga pagesa këta persona që dyshohet se po përfitojnë pa meritë si veteranë./FaktePlus