Ditë të zeza për bizneset, AKK do t’i bastis pa paralajmërim
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) do të mund të kryej kontrolle të paparalajmëruara tek subjektet që dyshohet për shkelje të konkurrencës. Tashmë AKK e ka edhe përkrahjen e Policisë së Kosovës.
AKK dhe Policia e Kosovës, sot kanë nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimin.
Siç e ka sqaruar kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi kjo marrëveshje nënkupton që të që zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kërkojnë një autorizim nga gjykata kompetente për të hyrë pa paralajmërim ose leje të veçantë në selinë dhe pronat e subjekteve të dyshuara, si dhe mund të kërkojnë asistencë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në raste specifike.
Komunikata e plotë:
Autoriteti i Konkurrencës dhe Policia e Kosovës nënshkruajnë memorandum te bashkëpunimit për kontrolle të paparalajmëruara (bastisje në agim)
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kanë nënshkruar të enjten një memorandum bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, me qëllim të intensifikimit të koordinimit mes palëve në adresimin e shkeljeve të mundshme të konkurrencës.
Ky dokument i rëndësishëm parasheh bashkëpunimin në mes të palëve në fusha të ndryshme, përfshirë këtu shkëmbimin e informacionit, bashkërendimin e aktiviteteve, trajnimin dhe vetëdijesimin, e të tjera.
Por, një nga pikat kryesore të këtij memorandumi ka të bëjë me bashkëpunimin për kryerjen e kontrolleve të paparalajmëruara (apo siç njihet gjerësisht në gjuhën angleze si “daën raids”) tek subjektet e dyshuara për shkelje të konkurrencës.
Kjo nënkupton që zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kërkojnë një autorizim nga gjykata kompetente për të hyrë pa paralajmërim ose leje të veçantë në selinë dhe pronat e subjekteve të dyshuara, si dhe mund të kërkojnë asistencë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në raste specifike.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka mirëpritur nënshkrimin e këtij dokumenti, që sipas tij, krijon mundësi shtesë për Autoritetin që të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në Kosovë.
Ai ka falendëruar Drejtorin e Policisë për gatishmërinë e tij për nënshkrimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Në anën tjetër, Drejtori Qalaj theksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë të gjitha institucionet e vendit për të zbatuar misionin e tyre të përcaktuar me ligjet në fuqi. Sipas tij, ky memorandum do ta lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin mes dy palëve./FaktePlus/