Ditari i Albinit, 27 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Më në fund një dritë në fundin e tunelit, në të cilin kemi hyrë tash e një muaj e gjysmë. Shpresojmë të jetë dritë reale, e jo ndonjë mirazh a vegim i rrejshëm, me të tillë çfarë jemi mësuar tash e shumë shekuj. Sot, për herën e parë prej fillimit të shpërthimit të pandemisë, në statistikat ditore që publikohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, del që numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve. Sot ishin tridhjetë e pesë të shëruar kundruall shtatëmbëdhjetë të infektuarve dhe një të vdekuri. Në shifrat e përgjithshme, numri është mjaft i madh, por i pritshëm dhe real sipas ekspertëve. Deri tash, në Kosovë janë shtatëqind e tetëdhjetë të infektuar, dyqind e një të shëruar dhe njëzet e dy të vdekur. Drita në fundin e tunelit u bëftë rreze dielli që do të ndriçojë mbi ne të karantinuarit!
Sot u shënua 27 Prilli, Dita e Personave të Zhdukur, që përkon me përkujtimin e Masakrës së Mejës, masakrës më të madhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ende, njëmijë e gjashtëqind e dyzet e katër persona pritet t’u zbardhet fati. Ende, njëmijë e gjashtëqind e dyzet e katër familje presin të dashurit e tyre. Ende, njëmijë e gjashtëqind e dyzet e katër viktima presin që t’u dënohet xhelati. Ende, njëmijë e gjashtëqind e dyzet e katër persona të zhdukur presin që të lindë dielli i tyre, që të lindë dita e tyre. Gjatë gjithë ditës sot u transmetuan kronika të shumta dhe u shpërndanë lajme me kujtimet e nënave që tregonin për vuajtjet e tyre. Sot, të gjithë kemi ndier me nënat. Them sot, dhe vetëm sot, pasi nesër do t’i harrojmë. Nesër, kujtimit do t’ia zë vendin harresa. Kujtimet për vuajtjet e tyre do na rikthehen vetëm pas një viti. Ne harrojmë, por jo edhe nënat. Jo, edhe nëna Ferdonije Çerkezi, simboli i dhimbjes dhe heroina që ecën. Ferdonija s’ka se si ta harrojë çastin kur shtëpia e mbushur me hare iu kthye në një shtëpi me heshtje morti që kur më të dashurit e saj shkuan drejt asaj rruge që s’kishte kthim. Por, nëna Ferdonije është duke pritur së bashku me sofrën që ka mbetur e shtruar duke i pritur ata.
Në këto ditë të dhimbjes, njerëz që nuk e provuan asnjëherë dorën e krimit mbi supet e tyre vazhduan me fushatën e nisur që moti për njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U munduan ta njollosin, por shenjtëria nuk njolloset. Njerëz të cilët nuk provuan me trupin e tyre se ç’është krimi serb, e barazuan komandantin çlirimtar me atë që bota demokratike dhe e civilizuar e quajti Kasapi i Ballkanit. I madh dhe i vogël u ngritën në këmbë për ta mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së, përveç disave që nuk reaguan, e të cilët për çudi reagojnë edhe kur dikush bën diçka te fiset Zulu. Por ideali për liderin është mbi të gjitha!
Siç duket, efekti i Virusit Korona ka bërë që njerëzit të shohin halucinacione dhe të flasin çmenduri. Nuk po flas për ata dhe as për langonjtë e tyre që flasin çmenduri çdo orë të ditës, çdo ditë të javës, çdo javë të muajit, çdo muaj të stinës dhe çdo stinë të vitit. Jo, s’po flas për politikanët. Por për njerëz që s’e provuan asnjëherë çfarë është dhimbja dhe kërkojnë të amnistohen krimet që Serbia bëri në Kosovë. Si mund të falet gjaku i njomë që ende ecën në çdo pëllëmbë të kësaj toke dhe loti që ende s’është tharë në fytyrat e nënave, baballarëve, bashkëshortëve, bashkëshorteve e fëmijëve?! Si mund të mbyllet një plagë që ende s’është shëruar?! Të amnistohet krimineli, e ai më pas duke e ndier vetën triumfal mbi drejtësinë, nesër të çojë lule si shenjë pajtimi tek varri i viktimave që vetë i shkaktoi. Ndoshta, dikujt që zemra i pompon ujë, edhe mund ta falë. Mund edhe ta përqafojë armikun, dhe t’i thotë “më fal që na ke vra”! Ata mund të falin por jo edhe nëna Ferdonije. As edhe mijëra Ferdonija tjera anembanë Kosovës.
Këto ditë ishte mot i paqëndrueshëm, ashtu si edhe karakteri dhe disponimi ynë në këto ditë karantine. Qëndrova në shtëpi dhe dola vetëm për ndonjë punë urgjente. Kam frikë se edhe kur do të kalojë kjo pandemi do të mbesim të njëjtë. Do ta vazhdojmë ta duam izolimin. Ndoshta edhe do ta adhurojmë atë. Ku i dihet!