Ditari i Albinit, 15 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Edhe një ditë e karantinës, iku. Iku, e çdo ditë e më tepër po i afrohemi fundit të saj, fund që askush s’e di, por duke u nisur nga premisa se çdo fillim e ka edhe një fund, ashtu po shpresojmë të gjithë. Eh, nuk thotë kot populli se mos me pas pula ymyd që ka me hëngër kallamoç, cofë.
Sot, filluan masat e reja për lirinë (a ndalimin) e lëvizjes. Gjithçka këto ditë varet nga fati. Ja, këto tre katër ditë mund të dal nga ora 21 deri në 22:30. Ç’ters! Fat i determinuar nga letërnjoftimi! Asnjëherë në jetën time s’e kam menduar se do të na kufizohet lëvizja. Ndoshta, fajtor jemi ne për këto vendime rigoroze. Po të ishim më të kujdesshëm, e të mos dilnim kuturu, ndoshta s’do të ishin këto masa. Ndoshta edhe do të ishin. Nuk e di përse gjithë kjo autokritikë. Ndoshta do të ishin masa edhe më të egra, e mbase edhe do të mund të jenë në ditët në vazhdim, nëse kjo do të ishte karrem për poenë politikë. Ku i dihet?! Thonë se ai që pickohet nga gjarpri, frikësohet nga hardhuca. Tani edhe unë të njëjtën frikë e kam. Të gjithë më duken të njëjtë. Si blegërima e deleve e si ulërima e ujkut. Efekt karantine mund të jetë ky. S’mund të them asgjë. Shihemi, e flasim pas karantine për këtë gjë.
Sot, fola për ty, i dashur ditar. U fola njerëzve për ty dhe lexova fjalë prej teje. Në njërin prej emisioneve më të ndjekura në Kosovë, udhëhequr nga miku im, Robert Bojaj, u ftova të flas për ty. U tregova të gjithëve për raportet e mia me ty. U tregova se si u bëre mik i mirë i ditëve të vështira.
Numri i të infektuarve po rritet e po rritet pafund. Do Zoti që situata të mos dalë nga kontrolli. Sot e dje, u paraqitën shumë raste të reja. Shifra e të infektuarve ka arritur në katërqind e njëzet e tre, të shëruar shtatëdhjetë e një dhe deri më tani nga kjo sëmundje, i kanë mbyllur sytë përgjithmonë, nëntë persona. Teksa shfletoja faqet e portaleve të lajmeve, pashë se si varrosej një i vdekur nga virusi korona. Shqetësuese. E dhimbshme. Tre katër njerëz e përcillnin për në banesën e fundit, ndoshta një person që kishte dhjetëra familjarë e qindra shokë. As më pak e as më shumë, se tre a katër. Luftë moderne, mbase është kjo. Kjo krizë do të kalojë por kam një frikë të madhe që më ka mbërthyer. Pasi të kalojë kjo pandemi, a thua do të vazhdojmë që të mos shkojmë në varrime. Do ta harrojmë traditën tonë të mirë të varrimeve. Ku i dihet! Gjithçka mund të pritet nga ne. Dimë shpeshherë të jemi popull i paradokseve.