Dita e pestë nga aplikimi i diasporës në regjistrin e votuesve
Sot është dita e pestë prej se qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kanë filluar që të mbushin formularët e tyre për të figuruar në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Diaspora e Kosovës llogaritet të jetë mjaft e madhe dhe nëse pjesëmarrja e saj në zgjedhjet që mbahen së shpejti është në numër më të madh, atëherë ato vota edhe mund të përcaktojnë fituesin e garës zgjedhore.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë deklaruar për FaktePlus, se ende nuk kanë ndonjë raport të saktë se sa është numri i qytetarëve që kanë aplikuar për këto ditë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për FaktePlus se ende mungojnë të dhënat se sa është numri i atyre që kanë aplikuar për regjistrim deri sot.
“Mungojnë të dhënat sepse nuk i posedojmë ende”, ka thënë shkurt Elezi.
Kujtojmë se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ato të vitit 2017, kësaj radhe numri i ditëve për t’u regjistruar është rritur për katër ditë.
“Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 periudha e aplikimit ka qenë vetëm 8 ditë, ndërkaq në këto zgjedhje periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës është 12 ditë’, ka deklaruar ai.
Sipas, Elezit në këtë mënyrë KQZ-ja ka bërë maksimalen që brenda ditëve që ka në dispozicion për të organizuar të gjithë procesin zgjedhor.
Që, nuk e dinë numrin e atyre që kanë aplikuar për regjistrim për të qenë pjesë e procesit zgjedhor nga diaspora e thotë edhe njëri prej anëtarëve të KQZ-së, nga radhët e VV-së, Adnan Rrustemi.
Rrustemi, ka thënë për FaktePlus se ende nuk posedojnë ndonjë raport me informata të sakta, duke pohuar se deri më tani nuk është shfaqur ndonjë problem gjatë aplikimit.
“Nuk kemi marrë ende ndonjë raport nga sekretariati i KQZ-së ende. E, di që probleme nuk janë shfaq, së paku s’janë raportu si në të kaluarën’, ka thënë ai.
Qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës llogaritet të jenë deri në 800 mijë, por, në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.
Ndërsa, në organizatën jo-qeveritare “Çohu”, thonë për FaktePlus, se procesi i votimit nga diaspora përmes postës vazhdon të jetë i komplikuar.
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Arton Demhasaj, ka dhënë edhe një ide se si mund të votojnë mërgimtarët, por se ka thënë që kjo mund të jetë e kushtueshme.
“Si proces mundet me qenë pak i komplikuar, por nuk ka mënyrë tjetër se si mundet me iu lehtësu pjesëmarrja në votime, potencialisht vetëm nëse rregullorja e KQZ-së, ose edhe me ligj rregullohet që nëpër disa qendra në Perëndim, sidomos në Evropë që ka shumë shqiptarë me u vendos disa qendra të votimit që munden me votu, por që është shumë problem dhe që munden me qenë shumë të kushtueshme’, ka thënë ai.
Kurse, duke folur për pengesat e vazhdueshme në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar në zgjedhje, Demhasaj ka shtuar se gjithmonë mund të ekzistojë rreziku i keqpërdorimit.
“Ne e kemi parë rastin e Istogut, se qysh din edhe me keqpërdor këtë të drejtë sepse kanë aplikuar njerëzit në emër të tjerëve, i kanë marrë fletëvotimet i kanë dërguar dhe mandej shumë fletëvotime janë shpall edhe të pavlefshme nga ana e PZAP-së, kështu që potencialisht kjo mundet edhe me u keqpërdor. Pra gjithmonë është rreziku i keqpërdorimit, por prapë po e them duke marrë parasysh që nuk ka shumë vota që vijnë nga jashtë përmes postës, atëherë edhe përqindja është e vogël dhe nuk besoj që mundet edhe shumë me ndiku në rezultat të zgjedhjeve”, ka deklaruar Demhasaj.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 përgjatë periudhës së aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës si votues suksesshëm të regjistruar ishin mbi 15 mijë qytetarë.
Vite më parë, Ministria e Diasporës kishte kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës. Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë ndryshim lidhur me këtë./FaktePlus