Dita e fundit e vitit 2019, gjithçka që deklaroi presidenti Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e fundit të vitit 2019 ka mbajtur një konferencë për media, me ç’rast ka folur për një sërë temash me të cilat është përballur vendi gjatë vitit që po lëmë pas.
Ai është deklaruar për procesin zgjedhor të 6 tetorit dhe ftesat e dërguara për takim në adresë të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“E mbështes faktin për thirrjen e Albin Kurtit. Në datën që ai ka caktuar dhe do e pres në zyrën time në orën 15:00”, tha ai.
Ai foli edhe për diskutimet mes partive fituese Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e Presidentit.
“Sa i përket zhvillimit dhe debateve të partive politike, unë jam ndër ata liderë që e kam përvojën e këtyre debateve, kam marrë pjesë diku 4-5 herë në themelimin e qeverive të Kosovës. I di vështirësitë dhe pengesat që mund të paraqiten në mes spektrit politik për të arritur një marrëveshje – që janë krejt normale në një vend demokratike. Çdo marrëveshje – edhe për president që bën spektri politik unë vetëm dua ta duartrokas”, tha ai.
I pari i vendit, Hashim Thaçigjatë takimit me gazetarë ka treguar edhe si do të veproj në rast se i vjen ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.
“Nëse më vjen ftesa, natyrisht se do t’i përgjigjem është jashtëzakonisht për t’u lavdëruar bashkëpunimi i të gjithë bashkëluftëtarëve me dhomat e specializuara, me çka e vlerësoj me mirënjohjen më të lartë, sepse Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, ne të gjithë jemi të barabartë para ligjit”, ka thënë mes tjerash ai.
Në adresimin e tij me rastin e fundvitit, kreu i vendit ka folur edhe rreth iniciativës për minishengenin, raportet e dialogun me Serbinë, si dhe mundësisë së hapjes së kufirit me Shqipërinë./FaktePlus