Dita e fundit e fushatës, partitë mbajnë tubimet e fundit me qytetarë
Sot në Kosovë është dita e fundit e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Për gjithë këto ditë partitë politike kanë mbajtur tubime e takime të shumta me qytetarë, ndërsa sot përmbyllin takimet me elektoratin e tyre.
Fushata e nisur me 25 shtator përfundon sot më 4 tetor, pasi data 5 tetor është heshtje zgjedhore e cila zgjat deri në mbylljen e qendrave të votimit të dielën në mbrëmje.
Të gjitha partitë dhe koalicionet tashmë kanë vendosur edhe qytetet nga ku do t’i ftojnë për herë të fundit qytetarët që t’i votojnë me 6 tetor.
Partia Demokratike e Kosovës, vendosur që ta përmbyllë fushatën zgjedhore në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Tubimi përmbyllës elektoral do të mbahet të premten në orën 18:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka thënë Memli Krasniqi për FaktePlus.
Kurse zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë treguar se tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore do të mbajnë Sallën e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”, në Gjilan nga ora 18:00.
Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, e ka zgjedhur për ta përmbyllur fushatën zgjedhore edhe partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.
Në orën 20:00 edhe kandidati i kësaj partie për kryeministër Albin Kurti, do t’i ftoj për herë të fundit në këtë fushatë, qytetarët që ta votojnë atë dhe subjektin që udhëheq, në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Tubimi i fitores mbahet në Prishtinë, Sheshi “Skënderbeu”, të premten në orën 20:00”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, kanë vendosur që tubimin përmbyllës ta mbajnë sonte në Gjakovë.
Blerim Kuçi nga shtabi zgjedhor i AAK-së, ka thënë për FaktePlus se tubimi mbahet te Palestra e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë nga ora 17:30.
Nisma Socialdemokrate e Kosovës dhe partnerët e saj në koalicion, do ta bëjë përmbylljen e fushatës zgjedhore në Prizren.
“Po, Nisma Socialdemokrate, AKR dhe PD do ta bëjnë përmbylljen e fushatës zgjedhore në Prizren”, kanë thënë nga zyra për informim e Nismës.
Kujtojmë se fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ka qenë dhjetë ditë, e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas caktimit të datës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këto zgjedhje po garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote./FaktePlus