Dita e 12-të e fushatës zgjedhore, cilat parti thyen rregullat e kush u ndëshkua nga PZAP
Asnjë kandidat dhe parti politike në vend nuk ka thyer rregullat e të bërit fushatë. Të gjithë konkurrentët politikë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, janë duke respektuar masat e qeverisë kundër pandemisë si dhe rregullat e fushatës. Ata nga Institucionet e Zgjedhjeve nuk janë ndëshkuar. Nga PZAP thonë se deri më tani nuk ka asnjë ankesë për askënd.
Ndonëse Kosova po përballet me situatën e tensionuar në veri të vendit, ku forcat policore po qëndrojnë në pikat kufitare në atë zonë për të zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me Serbinë, fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet lokale, ka hyrë në ditën e 12-të.
Kjo fushatë po zhvillohet nën masa të rrepta ndaj pandemisë, pas masave të marra nga ana e Qeverisë së Kosovës për të mos u përhapur COVID-19. Në këtë kuadër, partitë politike në vend, si dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, janë detyruar që fushata e tyre të zhvillohet në përmasa të vogla sidomos gjatë grumbullimit të njerëzve.
Ata janë duke zhvilluar fushatë me grupe të vogla njerëzish kështu duke respektuar një prej masave të Institucioneve Shëndetësore.
Politikanët e vendit janë duke u kujdesur edhe në rregullat e fushatës zgjedhore, kështu duke iu ikur edhe gjobave nga Institucionet përcjellëse të zgjedhjeve.
FaktePlus ka pyetur Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave, nëse kanë pranuar ndonjë ankesë për ndonjë kandidat apo parti politike, në thyerjes e rregullave të zgjedhjeve dhe fushatës.
Nga PZAP, për FaktePlus bëjnë me dije se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë në këtë drejtim. Nga ky Institucion kanë konfirmuar se ende nuk është shqiptuar asnjë gjobë për asnjë parti politike për thyerje rregullash.
Mulë Desku kryesues i sekretariatit të PZAP-it ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë shkelje eventuale gjatë bërjes së fushatës zgjedhore.
“ Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana e juaj, ju informojmë se deri me tani kur po ju shkruajmë, asnjë prej subjekteve politike që marrin pjesën në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, nuk kanë parashtruar asnjë ankesë në lidhje me shkeljet e eventuale gjatë bërjes së fushatës zgjedhore”, ka thënë ai.
Ndryshe AAK dhe LDK, kanë kërkuar që të shkurtohet fushata zgjedhore për shkak të situatës së rëndë me pandeminë.
LDK pati vendosur që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë dixhitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikmëri rregullativën në vend mbi tubimet publike.
Njejt edhe AAK ka kërkuar shkurtimin e ditëve të fushatës, po këto kërkesa të dy partive opozitare KQZ nuk i ka miratuar, në vendimet e fundit të këtij Institucioni janë vendosur 30 ditë fushatë zgjedhore.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor të këtij viti./FaktePlus/