Diskriminohen të rinjtë nga Lugina e Preshevës në Universitetin e Prishtinës
Të rinjtë shqiptarë të cilët vijnë nga vendet e rajonit për të studiuar në universitetet publike në Kosovë nuk janë të liruar nga pagesat e semestrave sikurse studentët kosovarë në Universitetin e Prishtinës. Ata e cilësojnë si diskriminues udhëzimin që rregullon këtë çështje.
Fatlind Azizi nga Presheva ndjek studimet në fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. I regjistruar dy vjet pas fillimit të zbatimit të udhëzimit administrativ të vitit 2014 që parasheh aplikimin e pagesave të studentëve në universitete publike Fatlindi nuk e ka gëzuar të drejtën e lirimit nga pagesa e semestrave për vitin e parë të studimeve pasi ai nuk është shtetas i Kosovës.
Në udhëzimin administrativ 17/14 përkatësisht në pikën 1 të nenit 2 thuhet se: studentët shtetas të Republikës së Kosovës që fillojnë studimet në universitetet publike vitin e parë të studimeve e kanë falas.
Këtë udhëzim administrativ të bazuar në vendimin e asaj kohe të kryeministrit Hashim Thaçi e shohin si diskriminues edhe ligjërues të universitetit të Prishtinës. Madje ata kërkojnë që të rinjtë të cilët vijnë nga Lugina e Preshevës dhe vendet shqiptare të rajonit të lirohen nga pagesa gjatë studimeve themelore.
Në menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës shprehen të gatshëm që t’i lirojnë këta studentë nga pagesa nëse një gjë e tillë rregullohet me një vendim nga organet gjegjëse arsimore.
Në vitin akademik 2014-2015 kur është marrë vendimi për lirimin dhe uljen e pagesave të semestrave në universitetin e Prishtinës ishin regjistruar gjithsejtë 175 studentë shqiptarë nga vendet e rajonit derisa në vitin akademik 2019-2020 janë regjistruar vetëm 72 të rinj.