Disa orë para ekzekutimit të Qerim Kelmendit, prokuroria intervistoi nipin e tij për vrasjen e ish-deputetit të LDK’së
Pak orë para ekzekutimit të Qerim Kelmendit në Zahaq të Pejës, në Prokurorinë Themelore të Pejës, është intervistuar nipi i tij Alban Dizdari, për vrasjen e Smajl Hajdarajt. Kelmendi, disa herë ishte përmendur nga dëshmitarë të ndryshëm si i implikuar në vrasjen e ish-deputetit të LDK-së, në janarin e vitit 2002.
Nipi i Qerim Kelmendit, Alban Dizdari, i akuzuar bashkë me Bedri Krasniqin dhe të tjerët, për vrasjen e zyrtarëve të UNMIK-ut që kishte ndodhur në vitin 2004, është intervistuar këtë të mërkurë në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Reporteri merr vesh se Dizdari u mor në pyetje si dëshmitar nga një prokuror i shtetit, në lidhje me vrasjen e ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj.
Vetëm disa orë pas këtij intervistimi, rreth orës 01 e 30 të së enjtes, në një rrugë në Zahaq të Pejës, policia gjeti një veturë të djegur.
Brenda saj ndodhej një trup i pajetë dhe i karbonizuar, pasi ishte qëlluar disa herë me armë zjarri.
Trupi i pajetë ishte i dajës së Alban Dizdarit, Qerim Kelmendit, I cili përmend gjatë intervistimit të djeshëm rreth vrasjes së Smajl Hajdarajt.
Ndonëse Dizdari, siç konfirmojnë burimet e Reporteri.net brenda autoriteteve të sigurisë, gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria e Shtetit në Pejë, nuk është treguar bashkëpunues.
Vrasja e Hajdarjat ishte kryer më 17 janar të vitit 2002. Ai ishte qëlluar për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.
16 vite pas kësaj vrasjeje, Shkumbin Mehmeti – i dënuari me 30 vjet burim për vrasjen e zyrtarëve të UNMIK-ut, rast në të cilin akuzohet edhe Alban Dizdari – kishte akuzuar për përfshirje ish-pjesëtarin e UCK-së Qerim Kelmendi, dhe vëllanë e tij Ibrahim Kelmendin – ish-anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Mehmeti, që tash është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, këto akuza i kishte bërë në një intervistë televizive në Klan Kosova, në fillim të vitit 2018, por që ishin përqeshur nga Qerim Kelmendi. Madje i kishte cilësuar si një telenovelë.
Kelmendi, i ekzekutuar sot, asnjëherë nuk është intervistuar nga ndonjë prokuror rreth vrasjes për të cilën u akuzua publikisht, ani pse Gazeta Online “Reporteri.net” ka konfirmuar me burime se Qerim Kelmendi, përveç nga Shkumbin Mehmeti, edhe nga persona të tjerë që janë intervistuar nga autoritetet kosovare është implikuar në vrasjen e Hajdarajt, si shtytës i saj.
Ndërkohë, vrasjen e mbrëmshme në Pejë, sipas të vëllait të viktimës, Ibrahim Kelmendit, e ka kryer “Dorë e zgjatur vrastare e Serbisë”.
Për ketë ekzekutimin mafioz ka reaguar edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi, që ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejt të rastit. Reagim ka pasur edhe nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.
Autoritet e sigurisë në vend janë duke u marrë me rastin.