Dikur luftoi e i doli vdekjes përpara për Atdheun, sot pret të ikë nga Kosova (VIDEO)
Ishte i ri në moshë kur i doli vdekjes përpara. E me vdekjen u përball vetëm për shkak të Kosovës, kur u plagos duke luftuar si pjesëtar i UÇK-së për çlirimin e atdheut. Ky është Xhevdet Qeriqi, njëri nga shumë çlirimtarët që sakrifikuan gjithçka për Kosovën, kurse sot i zhgënjyer pret të ikë nga Kosova.
Mungesa e perspektivës në Kosovë dhe shpresa për një jetë më të mirë po vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore që po i shtyn qytetarët e Kosovës të heqin dorë nga vendi i tyre.
Disa me viza pune e disa edhe në mënyrë ilegale po ia mësyjnë vendeve të Evropës, duke kërkuar jetë më të mirë, kështu duke e boshatisur vendin e tyre për të mos u kthyer më, shkruan FaktePlus.
Por, nuk janë vetëm të rinjtë ata që po largohen, në mesin e tyre ka edhe të moshës së mesme.
Madje, ka edhe të tillë që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës. Ata që dikur nuk kursyen as jetën e tyre vetëm e vetëm që një ditë atdheu të jetë i lirë, tashmë po mendojnë ikjen nga Kosova.
Në mesin e tyre është edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tashmë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së.
Qeriqi, tregon për FaktePlus se që nga prilli i këtij viti ka aplikuar për vizë gjermane, duke thënë se shpresat për një jetë më të mirë në Kosovë tashmë i janë shuar.
Ai thotë se është zhgënjyer me vendin e tij, edhe pse ka menduar që pas lufte do të ketë një jetë krejtësisht ndryshe.
“Po unë kam deklaruar edhe më herët, kam qenë i pakënaqur dhe i zhgënjyer me gjendjen e përgjithshme në Kosovë edhe kjo më ka shtyrë që të aplikoj për vizë gjermane, pra vizë pune për shumë arsye, ka qenë gjendja e përgjithshme jo e mirë, po ashtu gjendja e veteranëve, invalidëve, kërkesat e shumta, presionet që i kemi pas, trajtimi jo i mirë, këto kanë qenë ato arsyet që më kanë shtyrë për të marrë një vizë gjermane për t’u larguar nga vendi”, ka thënë Qeriqi për FaktePlus.
Qeriqi flet edhe për problemet që vazhdon t’i ketë tash e 20 vite pas lufte pasi që ka qenë i plagosur gjatë luftimeve.
Ai thotë se nuk ka kushte që t’i kryej vet shpenzimet për problemet që vazhdojnë t’i shfaqen, e për të cilat deklaron se asnjëherë nuk ka marrë trajtimin e duhur.
“Kam qenë i plagosur, prapë vazhdoj të kem probleme sidomos me bërrylin e krahut të majtë më shfaqen shumë shpesh infeksione në këtë pjesë edhe kështu që kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, të përgjithshme, jo individuale por të përgjithshme për invalid edhe trajtimi ka qenë shumë i vogël do të thotë nuk janë marrë me trajtimin e tyre. Unë i kam pas dy intervenime vitin e kaluar edhe këtë vit në Turqi edhe dua ta falenderoj Kuvendin Komunal i cili më ka mbështet për disa shpenzime edhe tash pres që në fillim të vitit të ardhshëm edhe njëherë të trajtohem në Turqi edhe dua ta falenderoj presidentin pas një takimi që e kam pas i cili mi ka mundësuar shpenzimet për të udhëtuar për tu trajtuar në Stamboll”, ka thënë ai.
I pyetur se a pret që të ketë përgjigje pozitive për vizë dhe se a mendon rikthimin në Kosovë, Qeriqi pa dashur të japë një përgjigje të qartë, thotë se dëshiron të jetojë në vendin e tij, por kushtet e vështira e kanë shtyrë që të merr këtë vendim.
“Unë u deklarova edhe më herët, kam qenë i pakënaqur, kanë qenë shumë arsye, gjendja ekonomike, pastaj edhe ato shëndetësore të cilat më kanë shtyrë të ndërmarr një veprim të tillë. Unë asnjëherë nuk e kam mendu që do të largohem nga Kosova sepse kam luftuar dhe kam derdh gjak për këtë vend, edhe dua që të jetoj këtu, mirëpo kanë qenë këto arsyet që më kanë shtyrë të ndërmarr këtë vendim”, ka deklaruar Qeriqi.
E, sipas disa të dhënave gjatë dhjetë viteve të fundit fatin si të Qeriqit e kanë pasur shumë qytetarë. Statistikat tregojnë se nga Kosova për një dekadë janë larguar rreth 350 mijë qytetarë.
Popullata me origjinë nga Kosova që jeton jashtë vendit më 2017 është llogaritur të jetë më shumë se 800 mijë, që është ekuivalente me 46.36 për qind e popullatës që jeton në Kosovë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, i bërë në vitin 2011, numri i qytetarëve të Kosovës është llogaritur të jetë rreth 1.8 milion./FaktePlus