Dialogu mban peng aderimin e Kosovës në Programin për Paqe të NATO-s
Dialogu me Serbinë është bërë pengesë për Kosovën edhe për t’iu bashkuar Programit të Partneritetit për Paqe, instrument ky para anëtarësimit në Aleancën Transatlantike – NATO.
Progresi në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja është përmendur si “kusht” për Kosovën nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Julianne Smith.
Në një bisedë me gazetarë, Smith ka thënë se do të vazhdojnë të angazhohen që të ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Pak nga pak derisa punojmë drejt synimeve siç është përshkruar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të mund të marrim në konsideratë gjatë rrugës çështjen e Partneritetit për Paqe. Por aktualisht fokusi është në sigurimin e më shumë stabiliteti në rajon dhe po bëjmë çfarë të mundemi për të kërkuar përparim në iniciativat e drejtuara nga BE-ja”, ka thënë ajo.
Smith ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë interesin e lartë të Kosovës për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe, por që qëndrimin e tyre në lidhje me dialogun ua kanë përcjellë edhe liderëve në Kosovë.
“Mendoj që miqtë tanë në Kosovë na kanë dëgjuar, po ashtu, zëshëm dhe qartë. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian që është diçka që të dy: aleatët e NATO-s e shtetet anëtare të BE-së, e përkrahin fuqishëm”, ka thënë ajo.
Aplikimin për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, kryeministri Albin Kurti e ka paralajmëruar qysh në dhjetor të vitit 2022.
“Tash jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk mund të kemi aplikime të reja sivjet, por vitin e ardhshëm do të përgatitemi të integrohemi sa më shumë në organizmat ndërkombëtarë e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe”, pati deklaruar kryeministri Kurti më 15 dhjetor 2022, pasi dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Por, 22 muaj pas nuk është marrë ndonjë veprim në drejtim të konkretizimit të aplikimit.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s, i krijuar më 1994. Pjesë e këtij programi që nga viti 2006 është edhe Serbia.