Dhunë dhe arrestime në Kamenicë, avokati dhe inspektorati po hetojnë policët
Policia e Kosovës gjatë një proteste në Kamenicë kishte përdor dhunë dhe sprej ndaj qytetarëve. Në lidhje me këtë forcë të përdorur nga policia e Kosovës, prindërit dhe protestuesit kanë lajmëruar Inspektoratin Policorë. Për këtë rast tashmë kanë nisur hetimet.
Banorë të fshatit Shipashnicë kanë protestuar të dielën në shkollën e këtij fshati duke kundërshtuar reformën në arsim në Kamenicë.
Ata kanë penguar zyrtarët komunal të futen në shkollë për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve për parashkollorë, derisa situata ishte tensionuar.
Për të qetësuar këtë situatë, Policia e Kosovës kishte përdor edhe sprej në mënyrë që të ndalë protestën e bënorëve.
Mirëpo në mesin e protestuesve pati edhe fëmijë, e që ndaj protestuesve Policia e Kosovës përdori edhe forcë për t’i shpërndar ata. Është dashur intervenimi i stafit mjekësor për protestuesit pas edhjes së sprejit nga ana e policisë.
Në lidhje me këtë forcë të përdorur nga policia e Kosovës, prindërit dhe pritestuesit kishin lajmëruar Inspektoratin Policorë të Kosovës.
Ajencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar nga IPK nëse ka filluar hetimin e rrjedhjes së ngjarjes të së dielës në Shipashnicë të Kamenicës.
Nga IPK kanë bërë me dije se rasti ka filluar të hetohet pas pranimit të thirrjes telefonike nga ana e banorëve.
Në përgjigjen e IPK-së theksohet se janë siguruar raportet policore si dhe ato mjekësore.
“Hetuesit e Departamentit të hetimeve lidhur me këtë rast kanë pranuar informacionet përmes Linjës së Kaltër (080003333 – numri i telefonit pa pagesë). Pas pranimit të informacioneve fillestare hetuesit e IPK-së kanë dalur edhe në vendin e ngjarjes duke kontaktuar me një përfaqësues të prindërve si dhe avokatin e tyre. IPK deri në këtë fazë ka siguruar raportet policore si dhe disa raporte mjekësore. Veprimet tjera hetimore do të ndërmirren varësisht nga të gjeturat dhe konsultat me prokurorin e shtetit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për FaktePlus.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar menjëherë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo tha se kjo situatë është krijuar që sa kohë mes Kryetarit të Komunës dhe banorëve të disa fshatrave dhe se nuk ka të bëjë fare me nivelin qendror.
“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror”, ka thënë ajo.
Tutje, Nagavci ka ftuar Komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe mos të lejojë asnjëherë përsëritjen e situatave të tilla.
“ Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kastratit i cili i është drejtuar ministres Nagavci që t’i ndalë manipulimet.
“Znj. Nagavci ndale manipulimin! Sot kur Komuna e Kamenicës po hapë një çerdhe shumë të nevojshme në një fshat të varfër për fëmijët 96% e të cilëve rrinë në shtëpi, Ministrja e Arsimit e cila zotim kryesor ka pasur hapjen e çerdheve, po e pengon atë. Znj. ministre ndërpreje nxitjen e banorëve sepse me metodat e jashtëligjshme, nga kulla e të paprekshmes, porsi të ishte ministre e kohës së Ali Bungut po flet për mbyllje shkollash kur në fakt po hapet një çerdhe. Aq e informuar jeni. Aq kompetente jeni”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati.
Ndryshe riorganizimi në arsim në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të 2019 dhe kjo inicativë ishte kundërshtuar qysh nga fillimi nga ana e prindërve.
Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.Pjesë e projektit kanë qenë 29 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta .
Shtatëmbëdhjetë (17) janë shkolla amë dhe dymbëdhjetë (12) janë paralele të ndara. Ndërsa në fazën e parë të riorganizimit janë shuar 4 shkolla.
Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.Beteja e disa prindërve në Kamenicë dhe Komunës së Kamenicës kishte kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën e Apelit./FaktePlus