Dhuna ndaj vajzave dhe grave, deformim i shoqërisë kosovare
Dhuna ndaj vajzave dhe grave në Kosovë është kthyer në një dukuri shumë shqetësuse, kjo duke qenë se shifrat e raportuara nga policia janë në rritje çdo ditë.
Vetëm 4 ditët e fundit janë raportuar në Policinë e Kosovës 11 raste, ku burrat kanë ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj vajzave dhe grave. Këto raste kryesisht janë brenda familjes, ku burri rrah gruan, babai vajzën, apo vëllai, por ka raste kur janë të përfshirë edhe persona tjera jashtë familjes, shkruan FaktePlus
Kjo dukuri në fakt tregon një shfrenim të shoqërisë shqiptare, e cila dhunën akoma e përdorë për të zgjidhur mosmarrëveshjet brenda familjes.
Sociologu dhe profesori i Universitetit të Prishtinës Fadil Maloku e sheh edhe këtë çështje si deformim të sistemit tonë të vlerave, të cilës i mungojnë shumë gjëra.
“Problemi kryesor, jo vetëm i kësaj problematike por, edhe të tjerave qëndron në dinamikën e ndryshimeve rraskapitëse që janë duke ndodhur në sistemin tonë vleror”, tha Maloku për FaktePlus
Sipas tij shoqëria jonë nuk po mundet ta përballojë këtë dinamikë, të cilës mes shumë cilësish i mungon një kornizë morale.
“Njerëzit nuk janë duke mundur t’i bëjnë ballë kësaj dinamike vlerore, që akoma i mungon një kornizë e etabluar; sociale, juridike e sidomos kornizë morale, e cila do shëmbllehej si një lloj “udhërrëfyesi” mental për raportet e reja të shfrenuara në gjithë shoqëritë shqiptare”, përfundoi sociologu për FaktePlus
Në kuadër të Policisë së Kosovës si në nivelin qendror edhe në nivel lokal ekzistojnë zyrtarë policor të trajnuar të cilët merrem vetëm me raste të dhunës në familje, megjithëse ka raste të njohura kur policia nuk ka reaguar kur gratë kanë kërkuar ndihmë.
“Zyrtarët kompetent policor përveç aspektit parandalues, iu pergjigjen të gjitha rasteve të dhunës familjare të raportuara duke iu dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmarren përveç ofrimit të ndihmës ndaj viktimave, përfshirë edhe bashkpunimin me subjektet tjera siç janë: Njësia për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave, Qendrat për Punë Sociale (QPS), Qendrat Mjekësore, shoqata të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë strehim”, kanë thënë zyrtarë nga Policia e Kosovës, për FaktePlus
Sipas tyre policia përveç aspektit parandalues, i pergjigjet të gjitha rasteve të dhunës të raportuara duke iu dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmarren.
Tutje, nga zyra për informin në adresë të FaktePlus thuhet se arrestimi i personave të dyshuar në raste të tilla të dhunës familjare bëhet çdo herë, kur ka baza ligjore dhe njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale, në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga autoritetet vendimarrëse të drejtësisë, respektivisht gjykatat./FaktePlus