Dhjetëra komisionerë të angazhuar në vitin 2017 ende nuk janë paguar nga KQZ-ja
Dhjetëra komisionerë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet lokale të vitit 2017, ende nuk janë paguar, ani pse ka kaluar një vit e gjysmë që nga përfundimi i këtyre zgjedhjeve.
Një komisioner i angazhuar nga KQZ-ja për zgjedhjet lokale të vitit 2017, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se ai dhe disa të tjerë ende nuk janë paguar për punën e kryer, ani pse disa herë ua kanë marrë të dhënat për t’ua kryer pagesat.
Ky komisioner (emër i njohur për redaksisë) thotë se vetëm në komunën e Ferizajt janë tetë persona që ende nuk janë paguar, derisa pjesa tjetër tashmë janë paguar për punën si komisioner të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai thotë se KQZ-ja ka pasur disa arsye pse kanë mbetur deri tani pa paguar. Atij i janë arsyetuar se ka qenë xhirollogaria e shënuar keq, pastaj nuk mund t’i paguajnë pasi që nuk është e kompletuar KQZ-ja, si dhe arsye tjera.
FaktePlus ka marrë vesh se edhe në komunat tjera ka ende komisionerë të cilët janë angazhuar, e që ende nuk janë kompensuar nga KQZ-ja.
Se ka ende komisionerë të papaguar e kanë konfirmuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi thotë për FaktePlus, se pagesat për komisionerë janë kryer, por që mund të ketë ndonjë pa paguar për shkak të gabimeve teknike.
“Po, janë realizuar pagesat për Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit (komisionerët) dhe të stafit tjetër të angazhuar në proceset zgjedhore të vitit 2017. Mund të ketë ndonjë rast që nuk i kanë marrë akoma mjetet, kryesisht për shkak të gabimeve teknike me numrat e llogarive. Në këto raste, ne kërkojmë që të bëhen përmirësimet për të proceduar”, ka thënë Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me 7 dhjetor 2018, kishte dërguar listën e fundit për pagesë të stafit zgjedhor të angazhuar në procesin zgjedhor të vitit të 2017.
Lista e fundit kishte 647 persona, të cilët kanë qenë të angazhuar në zgjedhje si: Komisionerë, Personel për Raportimin e Rezultateve Preleminare (K-Vote); dhe ata në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
KQZ ishte arsyetuar se Zgjedhjet Lokale janë mbajtur në fund të vitit të 2017, prandaj, disa pagesa për trupat zgjedhore nuk ishte e mundur të realizoheshin brenda vitit 2017./FaktePlus