Dhjetëra gjoba për partitë politike, Komuna e Prishtinës tregon se çfarë ndodh nëse ato nuk paguhen
Qysh prej rrëzimit të Qeverisë Hoti, partitë politike në Kosovë filluan fushatën, ndonëse këtë duhej ta bënin pas datës 3 shkurt.
Zgjedhjet e 14 shkurtit janë të parat që po mbahen në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19.
Mirëpo, koronavirusi nuk po del të jetë problem për partitë politike. Tash e sa ditë po shohim plot e përplot fotografi e video të mbledhjeve të partive me qytetarët, ku nuk respektohet as vendosja e maskës dhe as mbajtja e distancës.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës po vazhdon t’i dënojë qytetarët për mos mbajtje të maskës. Vetëm në 24 orët e fundit policia ka shqiptuar 502 gjoba për mosrespektim të Ligjit Anti-Covid.
E punën e policisë për dënimin e partive politike për shkelje të këtij ligjit, po e kryen dikush tjetër.
PDK-ja gjobitet përsëri me 2 mijë euro për mosrespektim të masave anti-COVID
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, deri më tash ka shqiptuar 11 gjoba për subjektet politike në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur për FaktePlus, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në këtë komunë, Adonis Tahiri.
“Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës deri më tani janë gjobitur nga tri herë. Ndërsa Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga dy herë. Kurse Nisma ka marrë vetëm një gjobë nga Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.“, ka shpjeguar Tahiri.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë që asnjëra nga partitë nuk ka sjellë fletëpagesa deri më tani dhe ka treguar procedurat në rast se nuk paguhen dënimet.
“Asnjëra nga subjektet nuk e ka sjellë fletëpagesën në Inspekcion deri më tani. Në rast se tejkalohen afatet ligjore të pagesës, gjobat barten në procedurë të përmbarimit dhe inkasohen në këtë formë.”, ka thënë Tahiri.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, 28 subjekte politike garojnë për 120 ulëse të Kuvendit të Kosovës, kështu duke e zgjedhur kryeparlamentarin, kryeministrin dhe presidentin./FaktePlus/
Edhe Prizreni fillon me gjoba për partitë, dënon me nga 2 mijë euro PDK-në dhe AAK-në