Dhimbja me flatra
Libri Poema për Natashen i poetit rumun Ion Deaconesku, i përkthyer këtë vit te Shtëpia Botuese Bogdani nga përkthyesi Baki Ymeri është një himn për dashurinë. Është një himn për dhimbjen që shkakton humbja e së bukurës, e së dashurës. E veçanta dhe më e rëndësishmja e tërë kësaj është se këto përjetime, përmes poezisë, si gjuhë universale e shpirtit, shpërndahen te të gjithë, si të thuash, poeti i unifikon të gjithë ata që e lexojnë këtë poezi, i bënë bashkëvuajtës, pjesëmarrës të kësaj drame njerëzore, pjesëmarrës të kësaj cope jete, të mbushur me dashuri e me ngrohtësi njerëzore së pari, e , më pastaj pjesëmarrës të vuajtjes që shkakton humbja e asaj që është e bukur, dhe e dashur. Mendoj se pikërisht këtu qëndron fuqia e artit poetik. Nga një përjetim individual, poezi e ka fuqinë të bartet te e përgjithshmja, të bartet te gjithsecili prej nesh. Secili prej nesh gjen diçka nga vetja aty. Edhe dashuri, edhe dhimbje. Thënë shkurt, e gjen veten dhe jetën e vet.
Rrëfimi për Natashën ndërtohet në episode të veçanta që mbulojnë momente të caktuara, që burim e kanë realitetin jetësor, e synim e kanë përherë largimin nga ai realitet i dhimbshëm, përmes fluturimit imagjinar që shënjon largimin nga kjo botë. Pra ajo që i bashkon këto episode të veçanta në këto poezi është ky synim, është kjo ide. Dhe poeti Ion Deaconesku e realizon mrekullisht këtë synim.
Nga leximi i këtyre poezive mund të vërtetojmë se vargje më të dhimbshme, që prekin në ndjenjat më të thella të dhembjes për dashurinë, saktësisht vdekjen e njeriut të dashur, e të gjitha këto të shprehura me një gjuhë të mahnitshme figurative, rrallë gjenden te poetët e tjerë. Fjalori poetik i këtyre poezive i ndërtuar me fjalë si; ëndrra, kujtime, flatra, fluturim, mollë, zogj etj, e bëjnë këtë rrëfim krejt të veçantë dhe poezinë shumë të fuqishme.
Jo kot thuhet se arti i madh lind nga dhimbja e mëdhe. Ky libër është një fakt që e forcon këtë dhe i jep të drejtë kësaj thënie. Poeti ka humbur personin e dashur dhe e përjeton thellë këtë humbje, por me shkrimin artistik të kësaj dhimbje ai ka fituar shumë, i ka fituar ata që e kuptojnë gjuhën universale të shpirtit, gjuhën e poezisë. I ka fituar lexuesit e mirëfilltë të poezisë.
Shëmbëllyeshem me figura, ikona të poezisë botërore si Danteja me Beatriçen, pastaj Hamleti me Ofelian e Romeo me Gjylieten, autori e zhvillon rrëfimin metaforik me idealin e tij, Natashën, që aq bukur shëmbëllen me ndjenjën e poetit për të bukurën, që shëmbëllen me muzën, dashurinë e njëkohësisht edhe me dhimbjen për atë humbje.
Shpëtimi për poetin duket të jetë fluturimi dhe largimi nga realiteti përmes fluturimit imagjinar, megjithëse edhe kjo rrugë edhe ky fluturim ndonjëherë nuk bënë punë;
Mendove se koha s’don të thotë
Stuhia e lotëve
Vaj, vaj
E dëgjove thirrjen
Përtej qiellit
Pa e ditur
Se edhe flatrimi nganjëherë
Është i kotë
Në këtë botën e veçantë të Deaconeskut, në këtë botën ku njerëzore janë vetëm atributet e shpirtit që përjeton realitetin në vazhdimësi, personazhet nuk janë njerëz që ecin, ata kanë flatra dhe fluturojnë nëpër ëndrra e nëpër kujtime, për poetin mënyra e vetme për tu veçuar nga kjo botë, nga realiteti që aq shumë i dhemb poetit, e aq shumë e lëndon. Këtë ideal poeti arrin ta ushqej shkëlqyeshëm dhe më e mira e më e rëndësishmja e tërë kësaj është se këtë poeti e bënë në mënyrë krejt të veçantë, duke përdorur figura që të mahnitin me fuqinë dhe me rrezatimin e përgjithshëm që kanë.
Poeti ka shumë për të thënë, e në ndërkohë është i vetëdijshëm se nuk do të arrij kurrë ta thotë atë që ndien, rrjedhimisht një pjesë e poezisë, fjala e pashkruar, që në këtë rast do të thotë ndjenja e poetit, nuk mund të shprehet gjithmonë, nuk mund të thuhet e të shkruhet gjithherë, edhe pse ajo jeton gjithmonë e thellë në poetin, është në shpirtin dhe në frymën e tij;
Goja m’u kyç
Dhe e pranoj se jam
Një trim i mundur
Secili nga ne e ka një dhimbje, secili nga ne e ka një humbje, e ka një mungesë e krahas saj edhe një dëshirë e një ideal për ta plotësuar atë mungesë, për ta shuar atë dhimbje e për ta arritur atë tërësi. Kjo krajatë, torturë, e universalizon këtë ndjesi, e bënë të të gjithëve, së këndejmi poezia e Deaconeskut i bënë bashkë të gjithë.
Me përkthimin në gjuhën shqipe Poema për Natashën do të jetë një pasuri e çmueshme edhe për letërsinë shqipe, e shpresojmë se do të jetë një adresë ku lexuesit e pasionuar, por edhe studiuesit e poezisë do t’i kthehen ta lexojnë e ta rilexojnë, sepse është një vepër unike, është një arti i mirëfilltë.
Duhet ta përgëzojmë përkthyesin Baki Ymerin që ka bërë një përkthim të bukur në gjuhën shqipe, që lexuesi shqipfolës ta kuptojë e ta ndiejë në tërësi artin e bukur të Deaconeskut. Përgëzime edhe për botuesin Kelmendi i cili me Shtëpinë botuese Pjeter Bogdani, para lexuesve tanë, në vazhdimësi po sjellë poezi të mirëfillta e autorë të shkëlqyeshëm.
Bujar Tafa