Detajet e policisë për rastin e therjes me thika, pesë të arrestuar
Një përleshje fizike e therje me thika ka ndodhur mbrëmë vonë në Prishtinë, me ç’rast dy persona janë në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të reja lidhur me këtë rast të rëndë, duke treguar se janë arrestuar pesë persona.
Për ngjarjen që policia e ka kategorizuar si vrasje në tentativë, thuhet se janë arrestuar pesë persona, kurse dy të tjerë ndodhen ende në arrati.
Sipas policisë, të dyshuarit e arrestuar së bashku edhe me dy persona tjerë që janë në arrati, dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, me qëllim hakmarrje kanë sulmuar dy viktimat me mjet të mprehtë-thikë, duke u shkaktuar lëndime trupore.
“Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, dhe sipas mjekëve njëri nga viktimat ka lëndime më të rënda trupore. Njësitet policore lidhur me rastin kanë konfiskuar një veturë si dëshmi, të cilën e kanë përdorur të dyshuarit”, njofton policia.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, të pesë të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Nga policia thuhet se rasti është duke u hetuar dhe pritet edhe arrestime tjera./FaktePlus