Detaje të reja nga vetëvrasja e policit në Mitrovicë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për vetëvrasjen e pjesëtarit të saj.
Rreth orës 18:00 të ditës së sotme është gjetur pa shenja jete një pjesëtar i Policisë së Kosovës në rrugën “Kolashin” në veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Branisllav Radoviq, ka thënë për lajmi.net, se polici me inicialet D.ZH., i nacionalitetit serb është gjetur i vetëvrarë në banesën e tij.
“Detajet që mund t’ju japim tani është se polici është gjetur i vetëvrarë në banesën e tij”, ka thënë Radoviq.
Polici i vetëvrarë dyshohet se e ka përdorur armën zyrtare për ta kryer këtë akt.
Radoviq po ashtu ka thënë për lajmi.net, se në vendin e ngjarjes janë hetuesit teknik të kriminalistikes dhe forenzikës, prokurori kujdestar si dhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë detaje për motivin e vetëvrasjes.