Detaje të reja nga vdekja e 56 vjeçarit që u godit nga treni
Një 56-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga treni në fshatin Klinavc të Klinës. Dyshimet e para janë se i ndjeri me inicialet M.T, ka kryer vetëvrasje.
Sot rreth orës 6:15 të mëngjesit, një person ka humbur jetën si pasojë e goditjes së trenit.
Rasti ka ndodhur në fshatin Klinavc të Klinës, ku dyshimet e para janë se viktima M.T ka kryer aktin e vetëvrasjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe me urdhër të Prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për Obduksion.
“Sot në orën 6:15 të mëngjesit, prokurori kujdestar është njoftuar nga Policia e Kosovës për një trup të pajetë në fshatin Klinovc të Komunës së Klinës i cili kishte humbur jetën pasi është goditur nga treni në lëvizje me udhëtarë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa janë duke u bërë hetime për rastin”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shkodran Nikçi.
Ndërkaq, Rafet Çitaku nga Infrakos i kontaktuar përmes telefonit, i ka thënë RTV Dukagjinit se shumica e rasteve të më hershme kanë ndodhur nga pakujdesia e qytetarëve.