Detaje të reja nga sekuestrimi i monedhave false
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e katër personave të cilëve iu janë gjetur dhe sekuestruar rreth dhjetëmijë franga zvicerane që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Sipas Policisë, në rrugën Prishtinë – Ferizaj, në hyrje të kryeqytetit janë ndaluar katër persona të dyshuarit në një veturë me targa vendore.
Personat e dyshuar të cilët edhe janë arrestuar janë R.S. lindur më 1963, A.S. lindur më 1975, Y.B. lindur më 1983 dhe M.F. lindur më 1976.
“Gjatë kontrollit të veturës është gjetur një thes me monedha metalike, monedha prej 5 franga zvicerane – metalike dhe monedha prej 2 euro– metalike. Të njëjtat janë sekuestruar përkohësisht nën dyshimin se janë të falsifikuara. Sasia e monedhave të sekuestruara është 1994 x 5 CHF, ku vlera nominale është 9970 franga zvicerane, 8 x2 EURO, ku vlera nominale është 16 euro dhe vetura e përdorur në rast”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Prishtinë, ka kontrolluar 4 lokacione ku janë gjetur edhe dy armë, respektivisht revole.
Bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Prishtinë, 4 të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh./FaktePlus