Detaje nga biseda e Kurtit me kancelaren Merkel, përshëndetet heqja e taksës
Zyra e kryeministrit ka dhënë detaje nga biseda e sotme telefonike ndërmjet kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit Albin Kurti.
Në një deklaratë për media thuhet se të dy burrështetasit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon.
Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë, thueht në deklaratën e përbashkët të zëdhënësit të Qeverisë Federale, Steffen Seibert dhe atij të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut.
Në takim u diskutua edhe për luftën kundër koronavirusit, për të cilin kancelarja Merkel premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.
Gjithashtu, u diskutua edhe mbi dialogun e BE për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga ish-Qeveria Haradinaj.
Kancelarja Merkel përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit Kurti për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën e kaluar.
Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës.
Gjatë bisedës telefonike kancelarja Merkel dhe kryeministri Kurti shfaqën besimin e tyre se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve, përfundon deklarata.