Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai tha se nuk janë arritur që ta caktojnë seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij në mbledhje të Kryesisë mungoi pozita.
“Sot është paraparë që të kemi mbledhje të Kryesisë dhe ta thërrasim seancën e radhës. Siç duket pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca nuk ka shumë vullnet me qenë në Kuvend dhe nuk ka vullnet me e shty agjendën parlamentare përpara. Megjithatë ne u bëjmë thirrje që të vijnë sepse e kanë obligim ligjor e kushtetues që të jenë prezent”, ka thënë ai.
Më tutje, Tahiri foli edhe për një ndër pikat që është pjesë e rendit të ditës të kësaj seance të Kuvendit.
“Në seancën e radhës një prej çështjeve më të rëndësishme që kemi pasur për ta diskutuar janë dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Me mungesën e një gjyqtari, gjykata nuk ka kuorum”, ka thënë ai.
Për mungesë të kuorumit ka dështuar mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, anëtari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Besnik Tahiri, deklaroi se pati mungesë të nënkryetarëve të Kryesisë, dhe se nuk e konsideron si të qëllimshme.
“Për ne si GP është me urgjencë që të ndodh debati parlamentar, që të rekomandohet fuqishëm diskutimit çështja e MCC-së dhe gazit amerikan”, tha ai para gazetarëve.
“Qeveria ka qenë shumë e pasaktë, asnjë argument s’e kanë dhënë. Krejt çka kanë përmendur ishte çështja e fizibilitetit.”