Dështimi i Kurtit mund t’i bëjë sërish bashkë Veselin e Haradinajn për formim të Qeverisë
Tashmë po bëhen tre muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk janë pajtuar që të firmosin një marrëveshje për koalicion qeverisës.
LVV dhe LDK ende nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së posteve, pasi partia e Isa Mustafës po kërkon me ngulm që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, kërkesë të cilën nuk po e pranon Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
E deri sa po kalon koha, së fundmi kanë dalë edhe versione tjera për krijimin e Qeverisë së Kosovës.
Në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund të arrijë një marrëveshje me LDK-në, atëherë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet e të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë për të formuar Qeverinë.
Kjo alternativë u dha mbrëmë nga Halil Matoshi, njëri nga këshilltarët e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.
E duket se Matoshi nuk është i vetmi në AAK që po mendon një version të tillë.
Edhe zyrtari tjetër i lartë i AAK-së, që njëherit është edhe zëvendësministër në largim i infrastrukturës, Rexhep Kadriu tha për FaktePlus, se një koalicion LDK-AAK mund të ndodh.
E krejt kjo sipas tij, në mënyrë që vendi mos të shkoj në zgjedhje.
“Deri tani nuk kemi pasur kontakte sa i përket kësaj teme. Mirëpo, nëse Kurti nuk arrin ta bëjë Qeverinë, atëherë është kompetencë e Presidentit Thaçi ta mandatoj partinë e dytë fituese dhe atëherë të provoj të zgjidh çështjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse realisht arrijmë të hymë në bisedime atëherë do të vlerësojmë të gjitha që të mos ketë bllokim të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Kadriu për FaktePlus.
Madje, ai një koalicion mes të dy këtyre partive nuk e sheh problematike.
“Ne realisht në vitin 2004 e kemi pas një koalicion dhe ka funksionuar jashtëzakonisht mirë dhe kemi shumë komuna që bashkëqeverisim me LDK-në dhe nuk e shohim problem një bashkëqeverisje me LDK-në”, potencoi ai.
Por se a do ta pranojnë si parti të tretë të koalicionit PDK-në, Kadriu tha se AAK është e hapur për të gjitha partitë.
“Nëse parashtrohet nevoja që të krijohen institucionet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja, atëherë Aleanca bashkë me LDK-në është e hapur edhe për partitë e tjera”, thekson Kadriu.
Ndërkaq, Halil Matoshi – këshilltar i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ka shkruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, nuk arrin të merret vesh me LDK-në brenda 15 ditëve për krijimin e Qeverisë së re, atëherë Haradinaj është alternativë.
Matoshi fillimisht thotë se LDK-ja thirret për tradita insitucionaliste e demokratike, prandaj Albin Kurti nuk mund të bëjë “Qeveri të diktatit”.
“Albini si fitues i zgjedhjeve nuk po mundet me ba Qeveri të diktatit, se LDK-ja e manë vetën goxha naltë në traditat demokratike e institucionaliste…Mos u marrshin vesh gjatë 15 ditëve të ardhshme, Ramushi mbetët alternativë me ba Qeverinë e re!? Sepse ai mundet! Nuk u ban vija t’kuqe partive që i japin dashtuni e besnikni shtetit kosovar”, ka shkruar tutje Matoshi.
Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë vetëm 11.47 %.
Zgjedhjet erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, me arsyetimin se kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim.
Këto zgjedhje sollën ndryshim në skenën politike, pasi sipas rezultateve tashmë të certifikuara, do të ketë rotacion në udhëheqjen e institucioneve të vendit.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës e dyta, të cilat prej disa javësh janë duke u munduar që të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.
Mirëpo, LVV dhe LDK ende nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së posteve, pasi partia e Isa Mustafës po kërkon me ngulm që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, kërkesë të cilën nuk po e pranon Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit./FaktePlus