Dëshmohet se 26-vjeçari që kreu vetëvrasje te konviktet kishte probleme shëndetësore
Agon Musliu nga fshati Livoq i Gjilanit, student i masterit në Gjermani, i cili u kthye në Kosovë dhe dje kreu vetëvrasje duke u hedhur nga karantina te konviktet, figuron në listën zyrtare me probleme shëndetësore dhe posedonte vërtetim.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitita, me zëvendësin e tij dhe sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vdekjen e të riut 26 vjeçar nga Gjilani, i cili ishte karantinuar në Qendrën e Studentëve, pasi kishte ardhur nga Gjermania.
Ministri Vitia deklaroi se do të kërkojnë detaje të hollësishme rreth ardhjes së 26-vejcarit nga Gjermania dhe vendosjes së tij në karantinë.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se ata që deklarojnë që kanë sëmundje, ekzaminohen nga ekipet dhe lirohen, ndërsa për qytetarin që vdiq dje, ai tha se nuk ka pasur asnjë dokument që dëshmon se vuan nga ndonjë sëmundje.
Por, kjo deklaratë e sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton të jetë e pavërtetë dhe demantohet nga vetë regjistri zyrtar të siguruar nga Reporteri.net.
Aty figuron edhe emri i të ndjerit Agon Musliu, i lindur më 30 dhjetor 1994, ndërsa te komenti i personit përgjegjës që e ka verifikuar, thuhet qartë se ai kishte probleme shëndetësore dhe se posedonte edhe vërtetim.
Flet babai i 26 vjeçarit që humbi jetën dje, ja kë fajëson ai
Se Agoni kishte probleme shëndetësore, e për këtë kishte edhe vërtetim e ka pohuar edhe prindi i tij Naimi në një intervistë për RTK, ku tha se ai kishte probleme në veshkë, e edhe stres.
Gjithashtu, për këtë çështje ka folur edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili thotë se me kërkesë të prindit, është munduar të kontaktojë që të bind institucionet e MSH’së për ta liruar Agonin, pasi sipas prindit të tij, ai kishte probleme shëndetësore.