Deri më tani afër 16 mijë pako me fletëvotime janë pranuar nga diaspora
Më 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mirëpo një gjë e rëndësishme në këtë proces është pjesëmarrja e diasporës.
Votimi për qytetarët jashtë vendit ka filluar më 2 shkurt dhe do të përfundojë nesër (12 shkurt)
Zëdhënësi i KQZ- së, Valmir Elezi ka thënë që deri më tani në KQZ kanë arritur 15 mijë e 966 fletëvotime.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit në kuadër të periudhës së votimit përmes postës. Deri më tani (e enjte, ora 16:00) numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 15 mijë e 966.”, ka thënë ai për FaktePlus.
Elezi gjithashtu ka treguar që pranimi i pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare të akredituara.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, 28 subjekte politike garojnë për 120 ulëse të Kuvendit të Kosovës, kështu duke e zgjedhur kryeparlamentarin, kryeministrin dhe presidentin./FaktePlus/