Deputeti Zeka: Shqiptarët gjuajmë me armë, s’bëhet nami
Një përplasje me deklarata ka ndodhur sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane mes deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka dhe deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku.
Ishte deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fatmir Mulhaxha- Kollçaku, e cila gjatë diskutimeve përmendi gjuajtjen me armë të zyrtarëve të shtetit nga oda e zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt, veprim ky që u dënuan ditë më parë nga një gjykatë në Prishtinë.
E kjo bëri që deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka t’i reagojë Kollçakut, duke ia përmendur hedhjen e molotovit në shtëpinë e ish kryeministrit Isa Mustafa.
“Lutu që ata s’kanë gjuajtur me molotov njëjtë sikur kolegët e tu që i kanë gjuajtur shtëpinë e Isa Mustafës. Edhe me u rrok armët Fatmire ski në çka me u kap”, është shprehur Zeka.
Madje për deputetin e Nismës, gjuajta me armë nuk është diçka e jashtëzakonshme për shqiptarët.
“Ne jemi shqiptarë edhe gjuajmë me armë, tybe nami s’u bo. Tash, ai njeri i Bordit të Postës është i joni edhe qenka shkarku”, tha Zeka, duke shtuar se Osman Ejupi, njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit ka qenë njëri i Nismës Socialdemokrate.
Sipas tij, duhet të dihet se të gjitha partitë dërgojnë njerëzit e tyre nëpër institucione publike.
Tashmë është publike se Osman Ejupi brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arriti t’i punësonte në ndërmarrjet publike të Kosovës, ku edhe ishte njëri nga drejtorët e Bordit. Por, Ejupi, i cili javën e kaluar ishte temë diskutimi, sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga kjo pozitë./FaktePlus