Deputeti kanadez shihet duke urinuar në filxhanin e kafesë gjatë seancës virtuale
Një deputet i Kanadasë do të heqë dorë përkohësisht nga disa detyra zyrtare, pasi u pa në kamerë duke urinuar gjatë një seance virtuale parlamentare, një muaj pasi i njëjti politikan u kap lakuriq nga kamera gjatë një paraqitjeje përmes internetit.
“Mbrëmë, përderisa po merrja pjesë në mënyrë virtuale në punimet e Dhomës së Ulët, në një hapësirë jopublike, urinova pa e kuptuar se isha në kamerë”, tha deputeti William Amos, anëtar i partisë së kryeministrit Justin Trudeau, në një shkresë me të cilën kërkoi falje përmes rrjeteve sociale.
“Jam thellësisht i turpëruar nga veprimet e mia dhe nga shqetësimi që mund t’i kenë shkaktuar ato kujtdo që i ka parë. Kërkoj falje në mënyrë të parezervueshme”, shkroi deputeti Amos.
Ai ishte duke folur në telefon në tavolinën e punës, kur vendosi të urinonte në filxhanin e kafesë në vend se ta ndërpresë përkohësisht telefonatën, thanë reporterët e politikës në rrjetet sociale, duke i cituar burimet e tyre, shkruan The Guardian.
Konservatorët në opozitë e cilësuan si të papranueshme sjellen e deputetit të pozitës, duke e vënë në pikëpyetje nëse incidenti ka ndodhur aksidentalisht apo jo. “Ky është model i sjelljes nga z.Amos dhe tani është e qartë që Liberalët e Trudeau-s dështuan në detyrën e tyre për të siguruar një mjedis të sigurt pune pas incidentit të parë”, tha përmes një deklarate deputetja e Konservatorëve, Karen Vecchio.