Deputeti i VV-së ‘zbulon’ planin për zgjedhje pas takimit Kurti – Mustafa
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Ali ka komentuar takimin mes të parit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa,
Aliu në një intervistë për Televizionin Publik tha se nga ky takim nuk ka asgjë konkrete lidhur me ndonjë koalicion parazgjedhor. Ka thënë se në këtë takim është folur për të mirën e vendit si dhe që të vuloset fitorja para zgjedhjeve.
“Nuk ka diçka tjetër. Po të kishte diçka konkrete do të dilte. Por megjithatë ka diçka konkrete. Ne si Lëvizje e kemi thënë hapur, ne do të donim që fitorja të vulosej para se të ndodhnin zgjedhjet, duke pasur koalicion parazgjedhor. Ky është qëndrimi që ne e mbajmë (me Albin Kurtin kandidat për kryeministër)”, tha ai.
Përveç kësaj, ai ka kritikuar edhe PDK-në, e cila siç u shpreh ai, duhet të dërgohet në opozitë dhe t’i bëhet një kthesë e qeverisjes së mirë vendit. Për LDK-në ai pranoi se kanë edhe dallime mes vete.
“Nuk është kjo e tëra, ka shumë çështjeje të cilat duhet të diskutohen për të ardhmen e këtij vendi që të kemi bashkëpunim mes njëri tjetrit edhe përkundër dallimeve që kemi”
“Duhet të kemi dërgim të PDK-së në opozitë dhe pastaj kjo do të prodhonte një kthesë në vend. Kosova është para një falimentimi të madh. Ajo që po shohim në ndërmarrjet publike, tanimë nga të gjithë është që të kemi një kthesë të madhe, dhe këtë tashmë nuk mund ta bëj PDK”, tha Aliu.