Deputeti i VV-së: Të stopohet procesi i gradimit në polici, ishte i kurdisur
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se procesi i gradimit brenda policisë duhet të ndalet dhe të merren masa ndaj përgjegjësve.
Bajqinovci ka shkruar në Facebook se PDK-ja ka futur nën kontroll policinë në 10 vitet e fundit dhe si pasojë e kësaj shteti është privuar nga mundësia për të pasur polici më të përgatitur.
“Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK’së. Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t’u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike.Si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral”, ka shkruar Bajqinovci.
Ai ka thënë se procesi për gradën e togerit që është mbajtur në fillim duhet të anulohet pasi që ka qenë proces i kurdisur.
“Në policinë e Kosovës, në fillim të këtij muaji, është mbajtur testi për gradën togerë.Mbi 700 zyrtarë të gradave më të ulta që i plotësonin kriteret formale, i ishin nënshtruar testimit. Megjithatë, testi ishte shpërndarë paraprakisht gjithmonë flas sipas mediave me qëllim që të kurdisej rezultati i atij testimi që gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset. Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit dhe duhet të merren masa ndaj përgjegjësve”, ka thënë deputeti i VV-së./FaktePlus