Deputeti i VV-së: E paprecedentë një Qeveri e djathtë të lejojë martesat mes gjinisë së njëjtë
Sipas asamblistit të LVV-në në Mitrovicë, Fidan Ademit, lejimi i martesave të së njëjtës gjini nuk është parë askund të botë nga Qeveritë e ideologjisë së djathtë.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar dje se Kodi i ri Civil do t’i hapë rrugë martesave të së njëjtës gjini. Pas kësaj ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Fidan Ademi, i cili e quan këtë “të paprecedentë” kudo në botë.
“Një qeveri e djathtë, me një ministër të djatht propozojnë ndryshime në ligjin civil që mundesojnë martesat e së njejtës gjini, e paprecedent kudo në botë!”, ka shkruar Ademi.
Ai madje ka kërkuar reagime nga konservatorët e nga përfaqësuesit fetarë në Kosovë, duke thënë se po i frikësohen Richard Grenellit, emisar special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.
“Kjo qeveri e djathit 🧀 , është e kotë në cdo vështrim. Asnjë reagim nga konservatorët, bashkësitë fetare, sociologët etj..Me gjasë, po mendojnë që i rrah Grenelli me reagu….”, ka shkruar asamblisti.
Grenell, që ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë, e ka përshëndetur ministrin kosovar të Drejtësisë për përpjekjet që komunitetit LGBTI t’u jepen të drejtat e barabarta si cdonjërit banor në vend.