Deputeti i Kosovës e humb mandatin pasi u dënua me burg, ligji i Kosovës nuk vlen edhe për Agim Ademin
Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Erzen Vraniqi, ka deklaruar sot se deputeti Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, ka humbur mandatin pasi është i dënuar me një vit burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.
Edhe pse është zgjedhur me votat e qytetarëve, Arifi ka humbur mandatin e tij si deputetë dhe duhet të zëvendësohet nga një tjetër që është pas tij në listë, shkruan Indeksonline.
Por ligjet e Republikës së Kosovës nuk po vlejnë edhe për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ai muaj më parë u dënua me nëntë muaj efektiv pasi iu vërtetua akuza se kishte bashkëpunuar në mashtrimin e një qytetari, ku dëmi kap vlerën e 30.000 eurove.
Edhe pse me 3 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit e vërtetoi dënimin e Agim Ademit, ai ende nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryetarit të FFK-së dhe nuk është paraqitur për ta vuajtur dënimin.
Veprimi i tij gjithashtu është në kundërshtim me statutin e FFK-së që nuk e lejon asnjë të dënuar të mbaj pozita në Federatë.
Edhe mandati katër vjeçar i Agim Ademit është i dyshimtë, pasi sipas disa delegatëve ai vetëm e ka vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga Fadil Vokrri.