Deputetët e pamposhtur të Kosovës (Video)
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme me 6 tetor ka bërë që disa prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë të mos arrijnë ta sigurojnë edhe për një mandat ulësen e Kuvendit. Por, ka disa që sërish e morën besimin e qytetarëve, duke u bërë kështu për të katërtën apo pestën herë resht deputet.
Janë disa arsye që i radhisin ligjvënësit, që kanë ndikuar në ruajtjen e besimit të qytetarëve për disa mandate rresht.
Donika Kadaj-Bujupi, është e vetmja që në zgjedhjet e 6 tetorit arriti të fitojë mandatin e pestë rresht. Ajo përmend disa elemente që kanë ndikuar që sërish të merr besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
“Besoj se një bashkëveprim me qytetarët, një bashkëpjesëmarrje në problemet e tyre, një komunikim i vazhdueshëm, ngritja e debateve, temave, ligjeve të cilat përmirësojnë jetën e tyre është një komponentë e rëndësishme të cilën duhet ta kryejë deputeti gjatë funksionit të tij në atë detyrë. Mendoj që nuk ka ndonjë formulë magjike, ka veç një fjalë, punë, përkushtim, angazhim dhe përkthehet në besim dhe përkrahje”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Ajo shton se megjithatë përpos përkushtimit të saj për t’i përfaqësuar në mënyrë të denjë qytetarët, është subjekti politik AAK që ka ndikuar që ajo të fitojë pesë mandate rresht si deputete.
E, teksa flet për përfaqësimin e qytetarëve në Kuvend, Kadaj-Bujupi, tregon se a e ka më vështirë të jetë deputete e pozitës apo opozitës.
“E para si deputet i opozitës sigurisht që keni hapësirë më shumë, sepse debatoni më shumë, diskutoni më shumë dhe kërkoni llogari nga ekzekutivit…Mirëpo, kur jeni në ekzekutiv dihet që përgjegjësia është më e madhe sepse ju jeni aty për të zbatuar të gjitha ato për të cilat keni folur gjatë viteve. Prandaj ka me shumë pengesa, me shumë sfida, kur jeni në pushtet”, tha ajo.
Për herë të katërt rresht deputete në Kuvendin e Kosovës ka arritur të bëhet edhe Blerta Deliu, nga Partia Demokratike e Kosovës. Ajo thotë se ky është vlerësimi më i madh, teksa tregon se si arriti të marr besimin e qytetarëve për të katërtën herë.
“Besoj shumë që ky rikonfirmim i votës që ka ndodhur për katërtën herë më obligon që si përfaqësuese e qytetarëve të angazhohem për mirëqenien e tyre sociale, për zhvillimin ekonomik të vendit, për të rinjtë dhe gratë të cilat vazhdojnë të kenë sfida në Kosovën e vitit 2019, sfida që do të përballen dhe do të përcillen edhe viteve të ardhshme”, thotë ajo.
Në tri mandatet e kaluara Deliu ka qenë deputete e pozitës, teksa thotë se të qenit deputete e pushtetit është më e vështirë.
“Për mua do të jetë një rifreskim, nga viti 2010 kam pasur fatin që të jem deputete e pozitës…përgjegjësi do të kërkojë ashtu siç kam kërkuar edhe nga ministrat tanë të pozitës, do të jem e zëshme. Por, natyrisht që opozita ta jap atë shpirtin luftarak dhe ta jap atë guximin politik që të deklarohesh, ani se nuk me ka munguar asnjëherë, por do të vazhdoj të jem e njëjta, të kërkoj përgjegjësi nga ministrat, përgjegjësi edhe më shumë sepse e kam mandatin tim të parë si deputete e opozitës”, është shprehur ajo.
Për të katërtën herë deputet do të jetë edhe Rexhep Selimi, nga Lëvizja Vetëvendosje. Selimi thotë se ai ka jetë parlamentare aq sa ka edhe subjekti që përfaqëson, pa të cilin thotë se zor që kishte arritur këtu.
“Gjatë kësaj rruge, normalisht që po të mos kishte qenë Lëvizja Vetëvendosje nuk besoj se do të kisha qenë ndoshta as kandidat për deputet, por si do qoftë nuk është meritë vetëm e imja qenia për herë të katër si deputet në Kuvendin e Kosovës, por është meritë e përbashkët”, theksoi Selimi.
Ai thotë se roli i deputetit në opozitë është më misionar, se sa kur je deputet i pushtetit.
“Për mua personalisht është më misionar roli i deputetit është kur je në opozitë, se sa kur je deputet i mazhorancës, kuptohet pse…Nuk e kam provuar të jem deputet i mazhorancës, por është e kuptueshme që deputetët e mazhorancës kanë një detyrë tjetër sepse krahas vetës kanë qeverinë, kanë institucionet të cilat duhet t’i përkrahin dhe t’i mbrojnë në nismat legjislative që ka Qeveria”, ka theksuar ai.
E mandat për të katërtën herë rresht kanë fituar edhe deputetë tjerë, siç janë, Ganimete Musliu e Bekim Haxhiu nga PDK-ja, Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje e Armend Zemaj nga LDK-ja.
Mirëpo, zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kanë lënë edhe një numër të caktuar politikanësh jashtë Kuvendit dhe vendin e tyre e kanë zënë figura të reja që morën më shumë vota nga qytetarët./FaktePlus