Deputetët diskutojnë sot për draft-rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid
Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot propozim-rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili këto ditë ka qenë shumë aktiv në çështjet që ndërlidhen me gjykimin dhe dënimin e krimeve gjatë kohës së luftës së viteve 1988-99, ka thënë se pret përkrahje nga të gjitha grupimet politike në Kuvend.
“I takon Kosovës që të dokumentojë, të faktojë dhe dëshmojë të gjitha krimet dhe gjenocidin që i ka kryer Serbia mbi Kosovë, në mënyrën që t’i hapet një perspektivë e re rajonit të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, për të gjitha vendet”, ka thënë Veseli.
Pas shqyrtimit të propozim-rezolutës, Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit.
Pikat e rendit të ditës për seancën e sotme:
- Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
2. Koha për pyetje parlamentare,
3. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë,
4. Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë,
5. Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave,
6. Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës,
7. Caktimi i Ditës së Gjenocidit.