Depresioni, sfidë serioze edhe në Kosovë – a është turp të vuash nga kjo sëmundje
“Jam nervoz, jam në stres, kam presion, jam në depresion…”, janë këto disa nga shqetësimet që i dëgjojmë pothuajse çdo ditë nga njerëzit që na rrethojnë.
E karakterizuar me simptoma të ndryshme dhe e shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, depresioni konsiderohet të jetë sëmundja mendore më e përhapur në botë, e që ka zënë vend mjaft shumë edhe në Kosovë.
Nga kjo sëmundje që konsiderohet e zakonshme mund të vijnë edhe probleme më të mëdha me shëndetin.
Psikiatri Sami Rexhepi, që është edhe Drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor, tregon se jo çdo shqetësim është depresion, ndërsa sqaron se tashmë nga depresioni janë prekur edhe në vendin tonë njerëz të të gjitha moshave.
“Depresioni normalisht që është një komplikim pas stresit akut traumatik e që zhvillohet më vonë. Jo çdo çrregullim dhe jo çdo krizë emocionale është depresion. Nuk duhet me i psikiatrizu të gjitha krizat tona emocionale me depresion apo çrregullimin e ankthit edhe menjëherë me karakterizu si depresion. Kjo është një e metë e madhe që po përcillet shumë në popullatën tonë”, ka thënë ai.
Depresioni ndikon negativisht në mënyrën se si ndiheni, mendoni dhe si veproni. Kjo sëmundje e cila mund të shërohet, mund të zvogëlojë aftësinë e një personi për të funksionuar në punë dhe në shtëpi.
E institucionet shëndetësore të Kosovës shpeshherë janë kritikuar si për mungesë të cilësisë së trajtimit, ashtu edhe për mungesë të barnave e për shkaqe të tjera.
Por, sipas psikiatrit Rexhepi, tashmë Kosova qëndron më mirë në trajtimin e depresionit e sëmundjeve të tjera të shëndetit mendor në krahasim me shtetet e rajonit.
“Mundem të them që shërbimet e shëndetit mendor në Kosovë janë më të zhvilluara se në shtetet e rajonit. Sivjet posaçërisht kemi qenë shumë mirë të furnizuar me ilaçe. Nuk kemi pas mungesë si viteve të kaluara. Në listën esenciale që është aprovuar… terapia është mjaft e avancuar dhe jo që jemi larg botës. Jo që i kemi më të shtrenjtat, por ato bazike i mbulojmë”, deklaroi ai.
Megjithatë psikiatri Rexhepi e sheh të nevojshme edhe ndërtimin e dy Qendrave të Shëndetit Mendor në Prishtinë për sistemimin e të gjithë të prekurve, pasi që qendra aktuale nuk është e mjaftueshme.
“Kapaciteti është shumë i vogël për 1300 klientë. Ne kemi nevojë edhe për dy qendra në Prishtinë. Problemi nuk ka qenë te paratë aq sa te caktimi i hapësirës… pasi na nevojitet një vend i urbanizuar ku ta bëjmë qendrën e dytë apo edhe të tretë”, theksoi Rexhepi.
Se tashmë depresioni po trajtohet më mirë në Kosovë e konfirmon edhe psikologu, Vigan Behluli, i cili thotë se personat depresiv janë ‘përqafuar’ me terapitë e reja dhe metoda që aplikohen edhe në shtetin e Zvicrës.
Megjithkëtë, sipas psikologut, problemi në shoqërinë tonë qëndron në faktin se ndihmën mjekësore e kërkojnë vetëm ata, të cilëve sëmundja u ka arritur në një shkallë më të lartë.
“Me një anë e kemi njëfarë qasje e cila është goxha si institucionale. si psh shërbimet e shëndetit mendor ofrohen vetëm për personat të cilët janë të hospitalizuar apo kanë nivel të shtuar, të madh të manifestimit të ndonjë çrregullimi edhe trajtohet në institucion ku aty puro hyjnë institucionet e shëndetësisë që e trajtojnë dhe jemi ne psikologët klinikë që nuk vijmë nga fusha e mjekësisë dhe mundohen përmes teknikave intervenuese që nuk e kanë për bazë patologjinë”, theksoi ai.
Behluli shton se kalimi prej një shoqërie kolektiviste në atë individualiste dhe dinamizimi i jetës, ka ndikuar që kosovarët të jenë më të depresionuar kohën e fundit.
“Krejt ky tranzicion edhe krejt ky far moderniteti, dmth kalimi prej një shoqërie kolektiviste në një shoqëri individualiste i ka këto pasojat e veta ku nuk i kemi shërbimet të cilat na mundësojnë që në një jetë dinamike dhe në një jetë e cila është nis me u bo shumë më shumë vetmitare dmth egocentrike nuk ka fillimisht kulturë të mjaftueshme për konsultime të kësaj natyre dhe nuk ka mjaftueshëm shërbime që munden me qenë në dispozicion veçanërisht për popullatën e përgjithshme”.
E shqetësuese për psikologun vazhdon të mbetet edhe stigmatizimi që u bëhet të prekurve nga depresioni.
Sipas tij, fatkeqësisht në Kosovë ende konsiderohet turp nëse prekesh nga depresioni dhe në shumë raste anatemohen edhe familjet e të sëmurëve.
“Tek ne është pjesë e marres sepse konsiderohet se nëse është dikush me këtë çrregullim, e anatemon krejt familjen. E gjithë familja bohet e ngjyrosur me atë far ngjyre. Nuk është detyrimisht ndikimi i familjes manifestimi i atij simptomi apo çrregullimi, por ka ekzistuar një predispozitë gjenetike që veç është manifestuar në çaste të caktuara dhe gjasat për me e pas i kanë si familjet e varfra ashtu edhe ato të pasura”, është shprehur ai.
Sipas hulumtimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë rreth 300 milionë njerëz në botë që vuajnë nga depresioni, duke përfshirë të gjitha moshat. Kurse më shumë se 1 milion njerëz që kryejnë vetëvrasje në botë, sipas OBSH-së, ndërlidhet me depresionin./FaktePlus