Dënohet me 11 vjet burgim njëri i akuzuar për vrasjen e rëndë në Lipjan, tjetri lirohet nga akuza
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, duke e dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim lidhur me akuzën se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, ka privuar nga jeta tani të ndjerin U.D. Kurse, të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata e liroi nga akuza.
Aktgjykimin ndaj dy të akuzuarve u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klan Kosova.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Besnik Bedrolli shpallet fajtor dhe nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor dhe vërejtjet në dy vendimet paraprake të Gjykatës së Apelit, ka nxjerrë përfundimin se për veprën penale nga dispozitivi 1, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Kurse, për veprën penale nga dispozitivi 2 të armëmbajtjes pa leje, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 4 muaj.
Ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, gjykata shpalli dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 15 shkurti 2015.
Po ashtu, gjykata konfiskon armën (pistoletën), me të cilën është kryer vepra penale.
I akuzuari Besnik, obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 200 eurove, ndërsa për kompensimin e viktimave të krimit, shumën 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sa i përket të akuzuarit Bajram Bedrolli, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe vërejtjet dhe konkludimet e Gjykatës së Apelit, gjykata nuk ka vërtetuar se i njëjti dhënë kontribut në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerit. Andaj, të njëjtin përkitazi me këto veprime e liron nga akuza.
Po ashtu, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë me asnjë provë se i akuzuari ka kryer veprën penale të “Mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse, sa i përket veprimeve të tani të akuzuarve Bajram dhe Bedri Bedrolli, në drejtim të lëndimeve të lehta trupore të shkaktuara ndaj të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi, gjykata konstaton se tani këto veprime inkriminuese janë parashkruar.
Të dëmtuarit lidhur me kërkesën pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.
Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.
“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.
Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj. Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U. D.
Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin D. dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të D. katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal.